
Pedagogu Qamil Dika deklaroi në studion e lajmeve në MCN Tv se mungesa e mjekëve në sistemin shëndetësor është paralajmëruar prej vitesh nga ekspertët. Duke vijuar më tej me shpjegimin e tij, Dika tha se projektligji për frenimin e largimit të mjekëve nuk ka të bëjë me shtimin e numrit të tyre në vend, por me parandalimin për vitet e ardhshme dhe si do procedojë sistemi. Sipas Dikës, nuk ka pasur një komunikim të duhur mes aktorëve që marrin pjesë në sistem. "Jemi në një moment kyç sa i përket një situatë të paralajmëruar nga ekspertë të sistemit shëndetësor prej vitesh, që do të përballemi me mungesën e mjekëve dhe ja ku jemi sot. Fakti që politika merr vendime në raport me këtë çështje ndoshta dhe të vonuara mendoj që shoqëria duhet të reflektojë në raport me një problem kombëtar që ajo ka. Projektligji nuk ka të bëjë me shtimin e numrit të mjekëve kjo ka të bëjë me parandalimin për vitet e ardhshme, se si do procedojë sistemi. A do jetë sistemi i zbrazët, a do kthehemi ne në një institucion që parapërgatisim profesionistë për t’i shërbyer sistemit shëndetësor gjerman, skandinav apo vendeve të Lindjes së Mesme, apo do të hedhim vështrimin për të forcuar më tej sistemin tonë shëndetësor. Unë mendoj që duhet t’i paraprijmë këtij debati. Metodologjia përmes të cilave vepron politika i takon asaj, por ne duhet t’ i paraprijmë një situate ku numri i mjekëve do jetë më i ulët nga se është sot. Sot që flasim jemi në një numër të ulur të mjekëve që shërbejnë në sistemin shëndetësor, jemi në një numër të ulur të specialistëve për të ofruar shërbim . Mbarë shoqëria jo vetëm fakulteti i mjekësisë, jo vetëm Ministria e Shëndetësisë por edhe ekspertët dhe intelektualët duhet të përfshihen në një debat. Ajo që unë këmbëngul, kosto e studimeve në Fakultetin e Mjekësisë është kostoja më e më lartë e studimeve në vend, kalon disa mijëra euro. Paguhet nga shoqëria shqiptare. Të gjithë taksapaguesit kontribuojnë që të formësojnë një plejadë mjekësh. Shoqërisë duhet t’i rikthehet pas. Ka moskomunikim të duhur midis aktorëve që marrin pjesë në proces".



