Një operacion i policisë së Tiranës i koduar “Tenderat” i zgjatur disa muaj, ka vënë në pranga katër punonjës të Universitetit Bujqësor të Tiranës, për abuzim me disa tendera.
Si rezultat i operacionit u bë ekzekutimi i masave të sigurisë “Arrest në burg” për shtetasit:
- Ali Rash, 62 vjeç, me detyrë Drejtor i Fermës Didaktike Eksperimentale në Universitetin Bujqësor Tiranë;
- Tahir Ballgjini, me detyrë Përgjegjës i Sektorit të Bujqësisë;
- Rushit Suna, 59 vjeç, me detyrë specialist i Sektorit të Bujqësisë;
- Ahmet Mejdani, 64 vjeç, me detyrë magazinier në magazinën qendrore në Universitetin Bujqësor Tiranë.
Katër të ndaluarit në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në role të ndryshme, paracaktonin fituesin e tenderave, kryenin hyrje dhe dalje fiktive të mallrave në magazina, duke shpërdoruar detyrën.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një automjet në pronësi të shtetasit Ali Rasha dhe 5 aparate celulare.
Aktualisht vijon puna për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet kriminal, ndërkohë që materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.



