Avokati Ndue Pjetra për hetimet ndaj kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj dhe kontrollin në banesën e familjarëve të tij, deklaroi se për sa kohë që është një hetim sekret, nuk mund të kërkohen më shumë informacione nga SPAK, edhe pse mund të jesh kallëzues.
Duke folur për “MCN Informacion”, ai tha se nuk mendon se bashkëshortja e Veliajt, Ajola Xoxa është nën hetim, por se është rrjedhojë e kryebashkiakut.
SPAK nuk ka nevojë shumë të hetojë. Kush i blen pallatet 1 milion euro? Për çfarë merret pushteti. Asnjë nuk motivohet për të punuar për qytetarët.
E gjithë kjo bëhet për të marrë benefitet e pushtetit. Në telefonin e sekuestruar të zonjës Xoxa janë fshirë shumë gjëra, por të gjitha dalin.
Unë e di shumë mirë, që edhe sikur t’i fshijnë, t’i fusin nën dhe, ne i nxjerrim. Nëse duan ta zbardhin të vërtetën, nxirret gjithçka.
Por mos mendoni që SPAK ka shkuar pa dijeninë e Edi Ramës. Ligji e thotë shumë pastër që kryetari i bashkisë është vetëm noter.
Vendimet e Veliajt nuk janë të tij por të strukturave të tjera. Nëse flasim për korrupsion, gjithë shteti është i përfshirë.
Janë munduar me çdo formë dhe kusht që ta marrin të pandehur për inceneratorin e Tiranës, nuk ia kanë dalë. Tani shohin se kush janë familjarët e Veliajt.
Informacionet që ka marrë Veliaj brenda SPAK, i kanë thënë që hiqi pastroji, ti s’duhet të jesh ditën që do bëhet kontroll.
Çdo gjë është e planifikuar, se ata që e falën te inceneratorët, janë këta që po mundohen të gjejnë prova. Kanë gjetur para. Pastrimi i parave është çështje tjetër.
SPAK do i shkojë deri në fund, i vetmi dënim që mund të marrë Veliaj është largimi nga politika dhe sekuestrimi i disa pasurive.
Vepra penale për korrupsion i ka rënë. Këta po kontrollojnë gjithë personat e lidhur me të. Nëse arrijnë nëpërmjet përgjimeve dhe bisedave telefonike.
Nëse nuk arrin ti gjesh prova, nuk ke çfarë t’i bësh Erion Veliajt.



