Vetë shërbimi përmbarimor i shtetit është në një stad të ri dhe lidhur me rritjen e numrin të përmbaruesve ka të bëjë me një procedurë momentale që janë duke ndjekur për përpilimin e akteve nënligjore për zbatimin e ligjit të ri që miratoi parlamenti i Shqipërisë në shkurt të këtij viti. Ai tha se e rëndësishme mbetet që ka një komunikim të mirë mes palëve dhe se me ligjin e ri zyrat përmbarimore shtohen sipas rasteve. Sipas tij, do ketë impenjim të shtuar për zgjidhjen e çështjeve. “Jemi në momentin që po bëjmë të gjitha aktet normative dhe ju për rastësi keni kapur një nga urdhrat e ministrit që ka të bëjë me përcaktimin e numrit të përmbaruesve që presim të involvohet. Ne prej momentit kemi pasur dy objeksione e para ta ristartonim me kapacitete që kishim këtë institucion, për arsye sepse shërbimi përmbarimor ishte në një moment të rënies së vetë dhe së dyti ishte përpilimi i një ligji të ri sepse të vjetrit i kishte ikur koha. Ishte planifikuar në programet e qeverisë në këtë kuadër ne u angazhuam bashkë me strukturat dhe paraqitëm ligjin i cili pasi kaloi në labirintet e qeverisë në shkurt u miratua. Jemi në momentin që shërbimi përmbarimor shtetëror i cili sot ka rreth 78 përmbarues në të gjithë territorin me urdhrin e ministrit do plotësohet me 144 përmbarues”. Në vijim ai shtoi se nuk është as në tagrin dhe moralin e tij të paragjykoj se çfarë kishte ndodhur para se Lutaj të merrte drejtimin e këtij shërbimi, por e vërteta është se shërbimi ishte gati inekzistent. “Qytetarët rropateshin, nuk priteshin, nuk respektoheshin, çështjet kishin mbetur në stoqe dhe na u desh të bënin një restart të shërbimit. Kemi ndryshuar një numër të përmbaruesve sepse shumë prej tyre nuk e kryenin detyrën dhe na u desh të merrnin persona më të përgjegjshëm dhe kjo duket dhe me rritjen cilësore të shërbimit. Ky shërbim përmbarimor investohet nga shteti dhe ai nuk i sillte shtetit as 1/3 e vlerës që shteti i jepte, ndërsa tani ne luajmë me pothuajse të njëjta parametra. Nuk është qëllim në vetvete nga ana e shërbimit çështja e të ardhurave por është një realitet që nëse ai nuk plotësonte të ardhurat sa për të mbajtur veten atëherë ai do ishte pothuajse inekzistent. Kemi rritur cilësinë, komunikimin me palët. Në këtë sens kemi reflektuar një qasje komplet tjetër”. Lutaj sqaroi se ka afate për çështje të ndryshme sepse sipas tij çështja vjen dhe regjistrohet në zyrë, kush duhet të parapaguajë tarifën dhe fillojnë procedurat e ekzekutimit, pra afatet janë të përcaktuara nga aktet normative. Ndërsa lidhur me hartën e re gjyqësore, Lutaj tha se duhet që ekzekutivi i vendimeve gjyqësore ose shërbimi që kryen përmbarimi është akti i fundit i një procesi të rregullt ligjor dhe sigurisht që përmbarimi rend pas vendime gjyqësore që merren nga gjykatat në shkallën e vendit qoftë me hartën e re apo të vjetër. “Ne me ligjin e sapo miratuar parashikuam që zyrat përmbarimore të kenë një shtrirje përveç hartës gjyqësore dhe përtej saj sepse rrethe të ndryshme kanë numër çështjesh të ndryshme. Prandaj kemi menduar të qëndrojmë njëherë në bazë të 22 zyrave që kemi për të vijuar më pas për ti shtuar apo ngushtuar më vonë. Harta e re gjyqësore qoftë dhe përtej saj, kjo do kishte parasysh në bazë të çështjeve sepse dhe numri i përmbaruesve 144 është një numër apriori sepse ulja e ngarkesë ndaj përmbaruesve themi se rrit dhe më shumë cilësinë. Përmbarimi shtetëror dhe është e rëndësishme për ta theksuar nuk zgjedh çështje për gjykim, ne kemi çështje të të gjitha karaktereve, kemi çështje që kanë të bëjnë me marrëdhëniet e ish bashkëshorteve, me kthim page, me pensionet e fëmijëve, çështje të të gjitha karaktereve çdo vendim i marrë nga gjykata paraqitet në përmbarim”.



