Arjana Muçaj, psikologe dhe pedagoge tha në “Mcn Informacion” se mungesa e vetëvlerësimit dhe vetëbesimit është një faktor në rastet e vetëvrasjes së të rinjve.
Muçaj vuri në dukje se mësuesit kujdestarë në shkolla kanë një rol parësor, pasi i njohin mirë nxënësit dhe problematikat në familjet e tyre.
“Nisur nga faktorët social-ekonomikë rrjedhin faktorët e tjerë. Kemi faktorët e shëndetit mendor, që i kemi elementët e parë. Tashmë u është dhënë një rëndësi e madhe. Kemi problemet në familje, si dhuna, problemet nga efektet e lëndës narkotike, të rinj që vuajnë nga depresioni dhe stresi. Kemi nivel të ulët jetese, s’kemi minimalen për frymë, varfëria në popullsi që sjell edhe pasojat e tjera. Shkolla është institucioni bazë që shikon edhe ndryshimin e sjelljeve të fëmijëve, si komunikon, çfarë modele sjelljesh ka. Detyrën parësore e kanë mësuesit kujdestarë, që janë në rolin e një prindi. Një mësues i njeh shumë mirë nxënësit, njeh historikun e familjes, problematikat. Një mësues duhet të tregohet më i kujdesshëm me mënyrën si duhet trajtuar ky fëmijë. Rastet e vetëvrasjes vijnë prej asaj që ulet vetëvlerësimi, ulet vetëbesimi”.
Muçaj vë në dukje se vetmia është elementi kyç që e çon një njeri drejt aktit të vetëflijimit. Po ashtu ajo shtoi se prindërit nuk duhet t'i krahasojnë fëmijët, pasi ata janë të ndryshëm, dhe ju ulet vetëvlerësimi.



