Suedia ka pasur një plan eugjenik, bazuar në shkencën e biologjisë racore, midis 1934 dhe 1976. Në kuadër të këtij plani, u sterilizuan 63 000 njerëz, kryesisht gra.
Programi i stilit nazist i miratuar nga shteti synonte të çlironte shoqërinë suedeze nga tiparet raciale "inferiore". Shumica e viktimave ishin njerëz me vështirësi në të mësuar, të varfër ose ata që konsideroheshin se nuk kishin gjak të pastër nordik.
“Ata donin të hiqnin qafe një lloj të caktuar njerëzish: ata më të dobëtit”, tha regjisori 71-vjeçar Kjell Sundstedt.
Kur zbuloi se tezja dhe katër xhaxhallarët e tij ishin sterilizuar me forcë, ai u shokua.
Ishte një sekret për të cilin askush nuk guxonte të fliste “pasi shoqërisë i vinte turp që njerëzit ishin detyruar të sterilizoheshin në Suedi”, thotë Sundstedt për Anadolu.
Shumica e shenjave të sterilizimit të detyruar prej 40 vitesh janë zhdukur nga librat shkollorë dhe të historisë, tha ai.
Në sytë e autoriteteve suedeze, tezja dhe xhaxhallarët e tij ishin "të papërshtatshëm" në një komb largpamës, dhe për këtë, ata paguan një çmim të tmerrshëm: "sterilizimin" në duart e shtetit.
Nëna e Sundstedt arriti të arratisej në kryeqytetin suedez, megjithatë, motra e saj, Maj-Britt "mjerisht" nuk mundi t’i shpëtonte sterilizimit.
Kur nëna e Maj-Britt vdiq, asaj dhe katër vëllezërve të saj iu kërkua t'i nënshtroheshin një testi të IQ-së dhe si rezultat, ata u morën nga shërbimet sociale dhe u vendosën në qendra "riedukimi" ku u përballën me abuzime, përfshirë përdhunimin.
Ata u sterilizuan në moshë shumë të re.
“Inteligjenca ishte shumë e rëndësishme” për autoritetet, tha Sundstedt, duke shtuar se tezja dhe xhaxhallarët e tij u klasifikuan si “idiotë” pasi nuk arritën pikët e duhura në një test IQ.
Maj-Britt vazhdoi të protestonte dhe përfundimisht u dërgua në një spital psikiatrik.
Viktimat çoheshin rregullisht në ato lloj institucionesh dhe sterilizoheshin pa pëlqimin e tyre, për arsye eugjenike, sociale ose mjekësore.
'Nuk turpërohem, të tjerët duhet të kenë turp'
Një rast ishte Maria Nordin, 72 vjeçe, e cila ishte detyruar t'i nënshtrohej sterilizimit pasi u konsiderua e sëmurë mendërisht si fëmijë, sepse nuk kishte syze dhe nuk mund të lexonte nga dërrasa e zezë. “Nuk më vjen turp, të tjerët duhet të kenë" thotëajo për gazetën suedeze Dagens Nyheter.
Nordin u detyrua të hynte në një shkollë për nxënësit nën normalen dhe në moshën 17-vjeçare, gjatë Luftës së Dytë Botërore, u detyrua të nënshkruante dokumentet e sterilizimit.
“Një doktor Ingvarsson më tha: "Nuk je shumë i zgjuar, nuk mund të kesh fëmijë." tregon ajo.
Qeveria suedeze besonte se shoqëria do të përmirësohej duke sterilizuar çiftet që konsiderohen si prindër inferiorë dhe fëmijët e tyre adoleshentë për të thyer ciklin e sjelljes së keqe, kujton Sundstedt.
Politikanët e mbrojtën programin në përpjekje për të ulur kostot në një shtet të mirëqenies në zhvillim, duke besuar se po të sterilizoheshin ata që zakonisht i drejtohen shtetit për ndihmë, kostot do të uleshin.
Suedia frymëzoi Gjermaninë naziste
Ligji i sterilizimit u prezantua pas vitesh kërkimesh në eugjenikë dhe gjenetikë të kryer nga Instituti Shtetëror për Biologjinë Racore në Uppsala në fillim të shekullit të 20-të.
I themeluar në vitin 1922, instituti frymëzoi krijimin e një instituti të ngjashëm në Gjermani në 1927.
"Filozofët gjermanë dhe shkencëtarët gjermanë erdhën në Uppsala dhe morën gjithçka nga ky institut i racës në Gjermani dhe themeluan Institutin Biologjik Racore në Berlin, i cili çoi në themelimin e nazizmit e kështu me radhë," thotë Masoud Kamali, profesor i sociologjisë dhe punës sociale.
Ai tha për Anadolu Agency se ideologjia e sterilizimit bazohej pjesërisht në ideologjinë racore dhe raciste, por gjithashtu në ideologjinë e modernitetit dhe iluminizmit -- një besim i financuar nga ideja se qeveria duhet të reformojë dhe të ribëjë shoqërinë.
Sipas profesorit, instituti racor dhe ligji i sterilizimit u mbështet nga të gjitha partitë suedeze, përveç komunistëve.
Gjermania naziste dihet se ka sterilizuar 400 000 gjermanë, ndërsa Norvegjia fqinje besohet se ka sterilizuar 40 000 njerëz dhe Danimarka 6 000, sipas gazetës Guardian.
Tridhjetë shtete të SHBA-së dhe Kanadaja gjithashtu praktikuan sterilizimin deri shumë kohë pas luftës. Vetëm Karolina e Veriut sterilizoi 7700 njerëz, dy të tretat e tyre ishin me ngjyrë, sipas gazetës.
Shfuqizimi në 1976
Programi shtetëror i sterilizimit në Suedi u krye publikisht nën propagandë masive dhe pak kritika, por përfundimisht u shfuqizua në vitin 1976 pas kundërshtimit në rritje nga viktimat dhe lëvizjet e grave gjatë viteve 1960.
Pas një hetimi parlamentar në vitet 1990, qeveria suedeze kompensoi 3 000 viktima të sterilizimit të detyruar -- një numër shumë i ulët në krahasim me shifrën e dyshuar të atyre që u sterilizuan me forcë.
Në vitin 1997, ish-ministrja e Çështjeve Sociale, Margot Wallstrom, u tha mediave: "Ajo që ndodhi nuk ishte gjë tjetër veçse barbare".
Wallstrom pranoi se ndihej e turpëruar që fillimisht refuzoi të kompensonte viktimat për dëmet në vitin 1996 për shkak të sterilizimeve të parashikuara nga ligji suedez.
Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës në raportin e saj të vitit 2011 konfirmoi se "ligjet e sterilizimit eugjenik të Suedisë krijuan mbi 60 000 viktima".



