
Brenda Partisë Demokratike janë shtuar zërat që kërkojnë riorientim dhe hapje të partisë, siç kanë deklaruar ditët e fundit Ervin Salianji dhe Ilir Alimehmeti.
Por sipas ish-kryetarit të PD në Kukës, Ibsen Elezi, i ftuar në një analizë për edicionin e lajmeve në MCN TV, këto thirrje nuk përfaqësojnë hapje reale të partisë, por, siç ai i cilëson, një “shqyerje” të saj.
Askush nuk e njeh në thelb termin ‘hapje e partisë’. Hapja e partisë nuk do të thotë të marrësh disa persona pa kriter, por të krijosh rregulla, strukturë dhe kuota për të përfshirë zëra me profil akademik, publik dhe profesional.
Kur ti fut njerëz pa identitet politik, vetëm pse janë ‘të mirë’, kjo nuk është hapje, por një provë dëshpërimi.
Disa nga figurat që flasin për reformim të PD-së, si Ervin Salianji apo Gazment Bardhi, kanë qenë vetë pjesë e atyre që sipas tij “manipuluan kuvendin e 18 dhjetorit”.
Nuk mund të japin leksione ata që kanë shkelur parimet themelore të garës së ndershme politike.
Duke analizuar pjesëmarrjen e ulët të opozitës në zgjedhjet e fundit, Elezi u shpreh se strategjia e PD-së për të dalë me kandidatë të pavarur ishte një lëvizje taktike, por që rezultoi pa sukses.
PD deshi të tregonte se po i jepte hapësirë zërave të rinj, por këta kandidatë dështuan.
Kjo tregon se partia nuk ka më burime njerëzore.
Ndërtimi i tyre kërkon kohë, institucione dhe një proces të gjatë formimi me rregulla dhe parime politike.
Mungesa e lidershipit, ndarjet e brendshme dhe rrënimi i strukturave e kanë bërë PD-në të mos ketë më kapacitete për të prodhuar figura të reja politike.



