Gjykata e Krujës ka liruar nga burgu Ilir Pajën. Paja njihet nga policia italiane si "ufo" pasi u arratis nga burgjet italiane 3 herë.
Ai u arrestua në vitin 2011 në Tiranë pasi aksidentoi një polic afër spitalit.
Paja rezulton i arrestuar në Itali për llogari të shtetit gjerman, ku akuzohej për vrasje.
Por pas dy arratisjesh të bujshme në këtë shtet, njëra me çarçaf dhe tjetra nga një ambulancë, rezulton e provuar se në 2006-ën ka kryer një seri veprash të tjera penale së bashku me një shtetas shqiptar.
Pas një grindjeje me disa shtetas nga Ekuadori, Paja dhe Gentian Makshia qëlluan në drejtim të dy personave duke lënë të vrarë Gonzales Ramires dhe plagosur një tjetër.
Pas kësaj ngjarjeje, dy shqiptarët u larguan nga vendngjarja duke rrëmbyer një 19-vjecare rumune, të cilën e mbajtën në një banesë ku strehoheshin dhe kryen marrëdhënie seksuale me dhunë.
Më tej, thotë prokuroria, Paja dhe bashkëpunëtori i tij udhëtuan në dalje të Novarës dhe pasi kontaktuan me një grup endacakësh kërkuan ndërrimin e automjetit të tyre.
Paja po vuante dënimin për ngjarjen e 2008-ës, kur një oficer policie mbeti i plagosur gjatë një aksioni për kapjen e tij në vendin e njohur si “Farmacia 10”, akuzë e cila fillimisht ishte për vrasje e mbetur në tentativë, por që gjatë proceseve u ndryshua në plagosje të rëndë.
Në vendimin e Gjykatës së Krujës, lirimi i tij argumentohet me faktin se ai vuan nga një sëmundje e rëndë.
Vendimi mban firmën e gjyqtares Enkelejda Hoxha, e cila pak ditë më parë liroi edhe të dënuarin Genc Tafili, vëllai i Admir Tafilit.



