Albin Kurti nuk mund të emërojë dhe shkarkojë asnjë ministër apo zëvendësministër pa miratimin e partnerit të tij në koalicion, Isa Mustafa. Në marrëveshjen për qeverisje LVV-LDK është sqaruar edhe se si bëhet emërimi apo shkarkimi i ministrave apo zëvendësministrave nga qeveria “Kurti”.
Marrëveshja parashikon që para çdo vendimi që ka të bëjë me shkarkime dhe emërime në nivel ministrash apo zëvendësministrash, Kurti duhet të konsultohet me Mustafën.
“Emërimi dhe shkarkimi i anëtarëve dhe i zyrtarëve/trupave të tjerë që emërohen dhe shkarkohen nga Qeveria: zëvendëskryeministrat , ministrat, zëvendësministrat i propozohen kryeministrit nga kryetari i subjektit politik me të cilin është bërë marrëveshja e koalicionit. Të njëjtit mund të shkarkohen nga kryeministri në konsultim me kryetarin e subjektit politik me të cilin është bërë marrëveshja e koalicionit, bazuar në një arsyetim që e pranon kryetari i subjektit politik me të cilin është bërë marrëveshja e koalicionit. E njëjta vlen për të gjithë të emëruarit e tjerë nga Qeveria”, thuhet në marrëveshje, detaje të së cilës u bënë publike nga “Blic”.



