Fotografi francez, Michel Setboun, risjell Shqipërinë e viteve ’80-’90 përmes një ekspozite fotografike. Ekspozita, e titulluar “40 vjet histori në vendin e shqiponjave” është një rikthim në Shqipërinë e viteve të fundit të diktaturës.
Në studion e TvT, bashkëkuratorja Eleana Zhako tha se për shumë njerëz, ekspozita rizgjoi të shkuarën e harruar.
“Ajo që vura re unë është se njerëzit harrojnë. Nuk ka harresë absolute, por kur ata rindeshen me veten e tyre në forma të ndryshme, si rastin konkret kur dikush i huaj u sjell pamje nga jeta e dikurshme, befasohen. Ishte në shumicën dërrmuese të rasteve befasuese, sidomos për ata që nuk e dinin se mund të zotëronte fotografinë e tyre”, tha ajo.
Zhako tha se shumë prej personazheve të fotove nuk e mendonin se imazhet e marra shumë vite më parë ishin ende diku.
“Ka pasur shumë personazhe. Në fshatin Juban dhe Rragam të Shkodrës është fotoja e famshme e vëllait dhe nuses që qan. Ata e mbanin mend praninë e fotografit por nuk e mendonin se pas shumë vitesh kjo fotografi do të publikohej”, tha ajo.
Sipas Zhakos, Michele Setboun, një fotograf që ka udhëtuar në të gjitha vendet, e ka Shqipërinë ndër vendet e tij më të dashura.



