
I plagosur rëndë vitin e kaluar në një pritë, shkrimtari Salman Rushdie do të shkruajë një libër për ngjarjen, si pasojë e së cilës humbi shikimin e njërit sy.
Një lajm i tillë u bë i ditur nga shtëpia botuese Penguin Random House e cila boton librat e shkrimtarit anglo-indian.
“Knife: Meditations After an Attempted Murder”- “Thika: Meditimet pas një tentative vrasjeje”, do të publikohet më 16 prill 2024, njoftoi botuesi.
“Shkrimi i këtij libri ishte një domosdoshmëri për mua: një mënyrë për të përvetësuar narrativën e asaj që ndodhi dhe për t’iu përgjigjur dhunës me art”, komentoi Rushdie.
Shkrimtari u sulmua më 12 gusht 2022 në skenën e Institutit Chautauqua, një komunitet veror për artet në veri të Nju Jorkut, ku po përgatitej të fliste për Shtetet e Bashkuara të Amerikës si një vend strehimi për shkrimtarët në mërgim.
Ndërsa ngjarja ishte gati të fillonte, një i ri 24-vjeçar, Hadi Matar, u ngjit në skenë dhe e goditi vazhdimisht me thikë në fytyrë dhe bark Rushdie, ku u desh ndërhyrja e pjesëtarëve të publikut që të parandalohej që pasojat të ishin më të rënda.
Rushdie u plagos rëndë u shtrua në spital dhe u intubua përkohësisht dhe që atëherë ka humbur shikimin në syrin e tij të majtë.



