
Eksperti i sigurisë, Ergys Muzhaqi, ndan mendimin se konflikti Izrael-Palestinë përsëritet herë pas here, por veçantinë kësaj here e bën organizimi dhe efikasiteti i veçantë i Hamasit, të cilët vepruan shumë shpejt, me një veprim masiv, frontal, me një përzgjedhje të saktë, të kohës dhe momentit.
Duke folur për MCN Live ai e cilësoi si normale që sa i takon autoritetit shtetëror jo të Izraelit por edhe atij ndërkombëtar që të cilësohet si sulm terrorist, pasi nuk përfaqëson shtetin palestinez, por linjën e tij e cila cilësohet si linjë ekstremiste dhe që në botën perëndimore nuk është shumë e përkrahur dhe mbështetur.
Dhe nga krahu i Netanyahut, shteti ka probleme në çështjet e brendshme ku disa herë kanë qenë në prag të luftës civile, për shkak se qeveria e së djathtës ekstreme bashkëpunon me religjozë të djathtë ekstrem dhe shpesh rezulton një bashkëpunim shumë problematik.
Dhe masat represive të qeverisë së Izraelit, kanë arritur në një pikë kulmore ku dhe organizimi më i veçantë më i kujdesshëm dhe shumë specialë dhe më i mbështetur në infrastrukturë dhe armatime, hakerime, një konglomerat i tillë që në bazë të bindjes së tyre ka shfarosjen e tjetrit, çon që të shkohet në një sulm masiv që do të çojë në viktima civile.
Është e pamundur të shmangen viktimat civile, një situatë e tillë nuk ka rezultuar e suksesshme për asnjë nga kampet, përveçse Izraeli vazhdon ta zgjerojë sipërfaqen e kolonizimeve.
Janë forcat politike laike ato që ia kanë arritur të gjejnë gjuhën e bashkëpunimit. Konflikti mes dy vendeve është më shumë se 70-vjeçar dhe është padyshim fetar.
Dhe kur emocionet fetare manipulohen nga politika, nuk pritet ndonjë gjë e mirë.
Nuk ka mundësi të thuhet një Izrael kompakt monolit dhe Palestinë kompakte dhe monolite që duan të vrasin njeri-tjetrin.
Ndër të tjera Muzhaqi tha se aktualisht nuk po përdoren armët më të rrezikshme dhe as terreni nuk e mundëson, por shtoi se çfarëdolloj ndërhyrje e armatosur nga të dyja palët do të shoqërohet me shumë viktima.
Sipas tij nga ana e Hamasit po përdoret armatim i lehtë dhe gjysmë i lehtë, ndërsa për palën izraelite foli për bombardime me avion, ndërsa deklaroi se askush nuk fiton nëse hyhet me trupa ushtarake tokësore dhe sa do i fortë të jesh, përsëri do kesh humbje të mëdha dhe nuk do kesh stabilitet dhe kjo do ishte skenari më i përgjakshëm.



