
Kreu i Urgjencës Skënder Brataj duke folur për MCN TV tha se aktualisht në Shqipëri është më agresiv gripi se sa Covid-19. Sa i takon gripit, Brataj u shpreh se qytetarët duhet të ndjekin një terapi simptomatike me barna, në dy tre ditët e para dhe nëse situata nuk ndryshon mund t’i drejtohen mjekut.
Megjithatë Brataj theksoi se nuk është e nevojshme që qytetarët të dynden në spitale që në ditët e para të gripit. Sa i takon Covid-19, Brataj tha se frika e vetme është te mutacionet, por u shpreh po ashtu se Shqipëria është e imunizuar qoftë në mënyrë natyrale, qoftë përmes vaksinimit.
Telefonohet për çdo lloj urgjence mjekësore. Në tre katër ditët e fundit, ka një rritje të numrit, 300-400 thirrje më shumë se ditët e zakonshme. Shqetësimi është, përderisa Sars-Cov-2 është prezentë në gjithë botën, sidomos në Azi apo Kinë. Kjo për shkak te menaxhimit që Kina i bëri pandemisë. Edhe vendi ynë është në observim të asaj që po ndodh. Kina e ruajti popullsinë të virgjër nga ky virus, dhe solli këtë situatë. Kishte sens karantina në fillim të pandemisë, por s’mund të ndjekësh Covid free, pasi do ta kalojë pjesa më e madhe e popullsisë.
Dominon Omicron-i në këto moment. Mutacionet, lindja e nëngrupeve të reja, janë të vetë Omicron-it. Qarkullimi në Kinë ka të bëjë me popullsinë e virgjër, qarkullimin e madh. Frika është e lindjes së mutacioneve të reja. Mutacioni i ri nuk është më virulent dhe agresiv, por i shmanget mbrojtjes nga imunizimi natyral dhe vaksinat. Një gjë shqetësuese ishte që edhe terapisë me trupa i shpëtonte ky lloj nënvarianti. Patjetër që do t’i gjendet terapia. Te ne nuk pritet ndonjë ndryshim i madh, pasi Shqipëria është imunizuar qoftë në mënyrë natyrale, qoftë përmes vaksinimit. Vaksinimi ishte arma më e mirë që patëm pas karantinës. E njëjta gjë ishte edhe me gripin.
E kemi thënë disa herë që gripi do vinte shumë më agresiv këtë vit, sepse ka dy tre vjet që nuk vjen. Jemi në fazën rritëse të përhapjes së vet grupit. Covd-i është më pak agresiv se sa gripi në këtë moment. Ndërkohë që gripi është më agresiv, shfaqet me temperaturë të lartë. Mund të zgjasë disa ditë. Shoqërohet me aparatin respirator, si kolla, dhimbjet e gjithanshme të trupit, kullimi i hundëve, teshtima, dhe diarre dhe te vjella te fëmija. Këshillat janë gjithmonë të vlefshme, nga izolimi, higjiena, vendosja e maskës, ushqimi dhe sidomos hidratimi te fëmijët dhe moshat e treta. Terapia është simptomatike. Kam temperaturë do marrë antipiretik, do marr paracetamolin, takipirinën. Në bazë të peshës. Një adult s'mund të marrë 600 mg duhet të marrë 1 gram. E dyta anti-dolorifik, apo antiinflamator, si Ibuprofeni, OKI. Këto duhet të merren për dy, tre ditë. Nëse simptomat vazhdojnë duhet t'i drejtohen mjekut. Por absolutisht nuk duhet të dynden në spitale. Temperatura është mekanizëm mbrojtës, jo se është e dëmshme. Por nuk duhet lënë që të kalojë mbi 39”.
Brataj tha se vaksinat e fundit kundër Covid-19 janë të rikombinuara dhe të mbrojnë edhe nga variantet. Brataj tha se është e këshillueshme edhe vaksina kundër gripit, ku momentalisht qarkullon gripi australian.
Vaksinimi është një nga pikat kyçe te përmirësimit shëndetësor. Vaksina e Covid-19 që i dha atë dritë jeshile kësaj sëmundje, kësaj pandemie, tregoi më së miri sa efikase është. Çdo vaksinë ka një efekt kohe të caktuar. Vaksinat e fundit janë të rikombinuara dhe të mbrojnë edhe nga variantet. Duke ditur që nga muaji i 3-të fillon rënia e antitrupave, dhe nga muaji i 5-të janë të pamatshëm, duhet një përforcim. Për gripin gjithmonë ka qenë vaksina e sezonit. Edhe në këtë vit kur ka mbivendosje të infeksioneve, është i këshillueshëm edhe vaksinimi kundër gripit, që është më agresiv se më parë. Me sa di është gripi australian në qarkullim këtë vit. Nuk ka ndryshime të vaksinës së ISHP dhe asaj në farmaci, por ka të prodhuesit”.



