
Vendet europiane e kanë nisur 2021-shin me kufizime të reja dhe masa të rrepta anti-Covid.
Varianti i ri i koronavirusit, i cili u identifikuar fillimisht Mbretërinë e Bashkuar duket se po përhapet me shpejtësi edhe në vende të tjera të Europës.
Nisur nga ky fakt, qeveritë e pothuajse të gjitha vendeve kanë shtuar masat e sigurisë dhe kufizimet e levizjeve për qytetarët e tyre, duke zgjatur afatin e karantinës të vendosur para festave të fundvitit.
Ditën e djeshme kryeministri britanik Boris Johnson deklaroi se nga e hëna Anglia do të jetë nën masa të rrepta, kufizime të cilat do të zgjasin për të paktën 6 javë.
Nga mesnata me kohën lokale të Martën, qytetarët në Angli lejohen të largohen nga shtëpitë e tyre vetëm për arsye të rëndëshishmë si blerja e gjërave të domosdoshme apo ndihma mjekësore.
Edhe kombet e tjera të Mbretërisë së Bashkuar, si Skocia, Uellsi dhe Irlanda e Veriut kanë marrë masa të reja kufizuese duke ndaluar qarkullimin.
Autoritetet italiane kanë njoftuar gjithashtu se masat kufizuese të vendosura gjatë periudhës së Krishtlindjes do të zgjateshin deri në 15 janar.
Qytetarët italinë do të kenë mundësi të vizitojnë të afërmit e tyre vetëm njëherë në ditë dhe takime me vetëm dy persona të rritur.
Shteti fqinj ka vendosur kufizime edhe në sektorin e shërbimit, duke mos lejuar frekuentimin e bareve dhe restoranteve në ambientet e këtyre bizneseve, por duke lejuar vetëm porositjen e marrjen e ushqimeve me vete.
Në Gjermani, kancelarja Angela Merkel do të diskutojë me 16 kryeministrat e shteteve federale mundësinë e zgjatjes së masave kufizuese përtej 9 janarit, datë e përcaktuar para fundit të vitit, duke shtyrë vlefshmërinë e masave deri në fund të muajit.
Greqia gjithashtu ka zgjatur masat kufizuese për shkak të shifrave të larta të infektimeve deri më 11 janar.



