Viktima i atentatit në Vlorë, Refit Toro, nuk është një emër i panjohur për drejtësinë italiane. Në një kontroll të bërë në mediat italiane, 32-vjeçari Refit Toro, emri i parë i të cilit ka qenë Jetnor Toro dhe më pas është ndryshuar për shkak të përfshirjes në afera të shumta, rezulton se ka bërë kërdinë në qytetet italiane përmes vjedhjeve nga viti 2006 në vitin 2007, raporton ORA.
Ai dhe miku i tij, Aleksandër Leskaj kanë marrë dënimin maksimal nga gjykata e Jesit më 31 janar 2014, duke u dënuar me 4 vite e 6 muaj burg si dhe me gjobë prej 800 eurosh.
Toro, në bashkëpunim me shqiptarë të tjerë dhe persona nga Ballkani, kishin formuar një bandë kriminale. Në momentin e arrestimit atyre iu janë kapur në makinë një sasi prej 15 mijë euro sendesh të vjedhura nga banesat në atë zonë.
Mediat italiane shkruajnë se Toro dhe anëtarët e tjerë të bandës hynin në mënyrë të organizuar në ndërtesa dhe vidhnin gjithçka që mundeshin, përfshirë bizhuteri me vlerë, lap topë, celularë, para e çfarë të ishte e mundur.
Jo zyrtarisht mësohet se viktima ishte i përfshirë edhe në trafik lëndësh narkotike. Ndërsa aktualisht policia nuk ka mundur të bjerë në gjurmë të autorëve. Një ndër pistat ku po heton policia është e shkuara kriminale e viktimës.



