
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, e ka quajtur kërcënim paralajmërimin e Qeverisë së Kosovës për ngritje të padisë për gjenocid në luftën e fundit në Kosovë.
Vuçiç ka thënë se Kosova nuk mund ta bëjë këtë, pasi nuk është shtet anëtar i OKB-së. Sipas tij, këtë mund ta bëjë vetëm një shteti tjetër si Shqipëria, dhe sipas tij ky është një paralajmërim që nënkupton fillimin e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, citon B92, deklaratën e Vuçiç.
“Ju të kërcënoni me padi për gjenocid? Për të ndodhur kjo, duhet ta bëni vetëm përmes Shqipërisë, e kjo do të thotë bashkim me Shqipërinë. Unë i lus shqiptarët nga Kosova që këtë të mos e bëjnë”, ka thënë Vuçiç me tone kërcënuese”.
Më pas Vuçiç, ka shtuar:
“Posa t'i dëgjoni reagimet e njerëzve nga jashtë se janë kundër ndryshimit të kufijve, dijeni se po ju gënjejnë hapur, ata janë për ndryshim të kufijve të Serbisë. Dhe pastaj ata thonë se është për shkak të një katastrofe humanitare. A nuk është një katastrofë humanitare në Siri, Afganistan ose Irak. Kështu që ju nuk e ndanë Basrën nga Iraku, ose Homsin nga Damasku. Jo vetëm që ju ndani territorin nga Serbia. Serbia është e suksesshme vetëm pa "Kosovën. Dhe çfarë është kjo? Dhe fuqitë e mëdha kanë bërë gjithnjë të njëjtën gjë, dhe ata duan bashkimin kundër serbëve," tha presidenti.
Vuçiç tha se Serbia lehtë mund të arrijë një marrëveshje me të gjitha vendet në rajon, por që sipas tij, ata duan të kufizojnë dhe të frenojnë Serbinë.
Ai tha se, me rastin e shfaqjes „non-paper" që parashikonte ndryshime të kufijve në Ballkan, ai ishte personalisht "kundër ndryshimeve të kufijve".
Vuçiç vuri në dukje se, “ndërkombëtarët që thonë se janë kundër ndryshimit të kufijve, nuk po thonë të vërtetën, sepse ata në të vërtetë janë në favor të ndryshimit të kufijve”.



