
Pasi është çliruar nga programi i shpëtimit nga kriza ekonomike, Greqia i kërkon Gjermanisë t’i paguajë 279 miliardë euro dëmshpërblim për pushtimin nazist gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Presidenti grek, Porkopis Pavlopulos, pritet ta paraqesë këtë kërkesë gjatë takimit me homologun e tij, Frank-Walter Steinmeier, në Athinë.
Kërkesat e Greqisë janë të dyfishta. Së pari, grekët kërkojnë kompensim për krimet e luftës, të shkaktuara nga Gjermania dhe Italia gjatë pushtimit të vendit në vitet 1941-1944. Gjatë asaj kohe, fshatra të tëra shkatërruan, dhjetëra mijëra njerëz vdiqën nga uria dhe më shumë se 70 000 hebrenj grekë u dëbuan, për të mos u kthyer më kurrë.
Së dyti, kërkesat e Athinës kanë të bëjnë me kostot financiare direkte dhe indirekte, që kanë rënduar mbi Greqinë. Deri në momentin e tërheqjes së fuqive të Boshtit, ekonomia greke ishte e brishtë dhe një pjesë e madhe e infrastrukturës ishte shkatërruar.
Po ashtu, Konventa e Hagës në vitin 1907 përcaktoi se shtetet e pushtuara duhet të paguanin për shpenzimet e jetesës dhe mirëmbajtjen e trupave pushtuese. Greqia gjithashtu pagoi 476 milionë rajhmarka (monedha e kohës, që në vitin 1948 u zëvendësua nga marka gjermane) si pjesë e një kredie të detyruar, e cila më pas u përdor për të financuar fushatat naziste në Afrikën e Veriut.
Marrëveshjet e pasluftës
Pas disfatës së nazistëve, Traktati i Paqes në Paris, në vitin 1946, përcaktoi dëmshpërblimin e luftës, që vendet e ndryshme të përfshira do të duhej të paguanin.
Greqia mori nga Italia 105 milionë dollarë dhe 45 milionë dollarë nga Bullgaria. Por Gjermania nuk e përmbylli këtë traktat para vitit 1990, pasi ishte e ndarë në dy pjesë: Gjermania Perëndimore dhe ajo Lindore. Megjithatë, Marrëveshja e Kompensimit të Parisit përcaktoi se Greqia duhet të marrë 2.7% të kompensimit të parave kesh të paguara nga Gjermania dhe 4.35% të industrisë së transportit, anijeve ose pagesave të tjera. Në fakt, kjo shumë arriti në 7.1 milionë dollarë në vlerën e tregut të vitit 1938, rreth gjysma e asaj që Greqia kishte kërkuar.
Në shkurt të vitit 1953 u nënshkrua një pakt tjetër, i njohur si Marrëveshja e Londrës, e cila mbulonte borxhet e përgjithshme që Gjermania e mundur u kishte forcave aleate.
Borxhi i Gjermanisë para luftës u ul me rreth 50% dhe koha që Gjermania (Perëndimore) kishte në dispozicion për të shlyer u përcaktua në 30 vjet. Sa i përket borxhit aktual të luftës, kjo është përcaktuar veçmas për secilin vend (zakonisht ka pasur një marrëveshje për një ulje prej 50%, por ka pasur përjashtime, për shembull, borxhet "morale" të Gjermanisë ndaj Izraelit nuk u reduktuan fare).
Pas vitit 1953, Gjermania Perëndimore arriti marrëveshje të ndryshme me shtete të veçanta për të paguar kompensim shtesë. Në 1960, Gjermania ra dakord me Greqinë për t’i paguar 115 milionë marka për viktimat greke të pushtimit gjerman.
Në total, Gjermania ka paguar rreth 72 miliardë euro si dëmshpërblim lufte.
Pse Greqia e kërkon dëmshpërblimin tani?
Çështja e dëmshpërblimit të luftës u rikthye në vëmendje në vitin 2010, pasi ekonomia e vendit u zhyt në recession, ndërsa kreditorët, përfshirë Gjermaninë, i kërkuan Greqisë të ndërmerrte disa reforma si pjesë e një programi shpëtimi.
Një raport parlamentar mbi këtë çështje u hartua në gusht të vitit 2016, por u la pezull ndërsa vijonte programi i ndihmës tetëvjeçare për daljen nga kriza. Gjatë kësaj kohe, Greqia ka marrë 240 miliardë euro ndihmë financiare, që besohet se mund të jetë arsyeja e vonesës dyvjeçare .
Pasi Greqia doli nga programi i rimëkëmbjes ekonomike, i financuar nga FMN-ja në gusht, presidenti Pavlopulos dhe kryeministri Alexis Tsipras kanë deklaruar synimin e vendit për të kërkuar dëmshpërblimet e luftës.
"Kërkimi i dëmshpërblimeve nga Gjermania është një detyrë historike", tha Tsipras gjatë një vizite muajin e kaluar në Kretë, duke përkujtuar shkatërrimin e vitit 1941 të fshatit Kandanos dhe vrasjen e 180 banorëve të saj.
Pse 279 miliardë euro?
Në prill të vitit 2015, zëvendësministri grek i Financave, Dimitris Mardas, njoftoi se sipas Zyrës së Përgjithshme të Kontabilitetit të vendit, Gjermania i detyrohej Greqisë një dëmshpërblim prej 278.7 miliardë euro. Ai gjithashtu i bëri thirrje Gjermanisë të paguajë kredinë e detyruar, të vlerësuar në total 10.3 miliardë euro me vlerën e parave të sotme.
Çfarë pritet?
Parlamenti grek pritet të nisë procedurat në nëntor, duke miratuar fillimisht gjetjet e raportit parlamentar të 2016-s mbi këtë çështje, shkruan gazeta gjermane “Der Spiegel”.
Qeveria greke pritet të ringrejë këtë çështje jashtë vendit, përfshirë këtu në Gjermani, në Bashkimin Evropian dhe në OKB. Së fundi, Greqia do të kërkojë që Gjermania të hyjë në negociata.
Cili është pozicioni i Gjermanisë?
Gjermania ka hedhur poshtë në mënyrë të përsëritur pretendimet e Greqisë dhe thotë se i ka respektuar detyrimet e saj, duke përfshirë një pagesë prej 115 milionë markash gjermane ndaj Greqisë në vitin 1960.
Berlini mendon se 70 vjet pas luftës, çdo pretendim i tillë ka kohë që e ka humbur bazën argumentuese. Por sipas “Der Spiegel”, Greqia mund t’i çojë pretendimet e saj kundër Gjermanisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë. / Euronews /



