
Numri i banorëve të tre fshatrave Floq, Qafë Zezë dhe Vidovë të Korçës, që kanë kaluar natën në çadër edhe mbrëmë ka qenë mbi 200, ndërsa paniku vijon, pasi mbrëmjen e djeshme dhe në orët e para të ditës së sotme nuk kanë pushuar lëkundjet sizmike, edhe pse me magnitudë të vogël 2.1, 2.4 dhe i fundit 3.4 ballë, duke e çuar në 74 numrin e termeteve që janë shënuar në këtë zonë brenda 30 orësh.
Ndërkohë që 184 është numi i banesave të dëmtuara, 60% e të cilave mbetën të pabanuara.
Në një takim të sotëm të Shtabit të Emergjencës me Prefekturën e Korçës, ministrja e shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, deklaroi shërbim 24 orësh për banorët e zonave të prekura nga tërmeti”.
“Shëndetësia është e organizuar për të ofruar shërbime 24/7 në Plloq ku përveç çadrës me shërbim shëndetësor, kemi hapur një pikë të posaçme në ambientet e shkollës, ku aktualisht po ofrohet shërbimi shëndetësor. Gjithashtu kemi vendosur 2 autoambulanca në dispozicion, për çdo emergjencë që mund të ketë. Janë 37 konsultat e kryera dhe shërbimet e ofruara nga ekipi i shëndetësisë. Kemi vendosur mjekë dhe infermierë me turne. Mjekët e spitalit të Korçës janë vendosur në gatishmëri 24 orë. Edhe në Qafëzez shërbimi shëndetësor është i ofruar nga mjekët e spitalit të Kolonjës me 1 mjekë dhe 2 infermierë”, u shpreh ministrja Manastirliu.
Gjatë takimit të zhvilluar në Prefekturë u diskutua edhe për shërbimin psikosocial për banorët që kanë nevojë.
Poashtu, Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhacka do të takojë sot Shtabin e Emergjencave në Korçë dhe do të vizitojë familjet në fshatrat e prekur nga tërmeti.



