
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u ka thënë mediave polake se është ende gati të flasë me Vladimir Putin, pavarësisht mizorive ruse në Bucha, Mariupol dhe vende të tjera.
Zelensky thotë se dëshiron të takojë presidentin Putin sepse "një njeri i vetëm vendos gjithçka" në Rusi.
Ai tha gjithashtu se rreziku i prishjes së bisedimeve është i lartë për shkak të veprimeve të Rusisë në zonat e Ukrainës që forcat e saj kanë pushtuar.
"Pas Bucha dhe Mariupol njerëzit thjesht duan t'i vrasin. Kur ka një qëndrim të tillë, është e vështirë të flitet për ndonjë gjë," tha Zelensky.
Ai vazhdoi duke thënë se është me njerëzit e tij "me zemër dhe shpirt", por "nëse ka një shans të vetëm, duhet të flasim".
Ndërkohë që në intervistën për mediat polake Zelensky bëri të ditur se një tjetër varr masiv që përmban 900 trupa është gjetur në rajonin e Kievit.
Ai akuzoi trupat ruse për "pastrimin e gjurmëve" dhe përdorimin e krematoriumeve të lëvizshëm për të djegur kufomat.
"Askush nuk e di se sa njerëz vdiqën në total. Do të ketë pasoja, do të ketë një hetim," tha Zelensky, por pa dhënë detaje të tjera.
Ukraina më herët akuzoi trupat ruse për vrasjen e qindra civilëve në Bucha, Borodyanka dhe Irpin, qytete pranë kryeqytetit Kiev, të cilat ishin të pushtuara për javë të tëra nga Rusia. Nga ana e saj, Moska i hedh poshtë akuzat.



