Ngritja e kurbës së rasteve të reja në Shqipëri nuk reflekton lehtësimin e masave kufizuese. Në një intervistë në studion e lajmeve të TvT, epidemiologu Ilir Alimehmeti thotë se rritja e mejëhershme e numrit të rasteve të reja ka të bëjë me dy vatra.
“Kjo nuk shoqëron as masat e lirimit dhe hapjen e lokaleve, është rezultat i dy vatrave lehtësisht të parashikueshme. E rëndësishme është të ruajmë distancimin dhe higjienën”, tha ai.
Lidhur me pezullimin e provave klinike për hidroksiklorokinën, Alimehmeti tha se ka rezultuar i paefektshëm, ndërsa shtoi se Remdesivir është premtues.
“Në të gjithë botën u vendos në mënyrë të paqartë. Nuk kam qenë kundër këtij mjekimi, jam kundër çdo mjekimi që nuk ka evidencë se nuk bën dëm. Ne informacioni na erdhi nga Kina, pa një studim. Testimet që filluan treguan se kishte dëm dhe nuk shihej efekt. Remdesiviri është premtues, redukton me 1/3 mortalitetin. Ka disa prova klinike, priten të tjera. Çdo mjekim ka efekte anësore, por te Remdesiviri janë më pak të qarta. Trajtimi është individual, rasti rastit nuk i ngjan nga ana mjekësore. Nuk është si vaksina. Ka ndallim nga shkalla e sëmundjes, sëmundjet bashkëshoqëruese”, tha ai.
Lidhur me mundësinë e hapjes së transportit publik, mjeku epidemiolog tha se respektimi me rigorozitet i masave është i vështirë për t’u vënë në zbatim.
“Jeta duhet të vazhdojë sepse ne do të kemi raste në mënyrë të vazhdueshme, më pak gjatë verës dhe me gjasa do të shtohen në vjeshtë. Shtetet e tjera kanë masa të rrepta për transportin publik, për faktin se janë mjedise të brendshme. Do të shfaq njëfarë ngurrimi për respektimin e masave, nuk kemi parë rigorozitet”, tha ai.



