Shefi për media i Shtëpisë së Bardhë, Anthony Scaramucci, është shkarkuar nga posti i tij, bëjnë të ditur mediat amerikane.
Largimi i tij vjen vetëm 10 ditë pasi ai u emërua në këtë detyrë nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.
Ish-financieri, i cili ishte emëruar në detyrë të premten e kaluar, ka ngjallur kritika të ashpra, pasi ka folur me banalitet për kolegët e tij, në një intervistë të dhënë ditë më parë, transmeton Gazeta Express.
Shefi i stafit të Trumpit, Reince Preibus, dhe zëdhënësi i tij, Sean Spicer, që të dy kanë dhënë dorëheqje ditë më parë nga postet e tyre, pas emërimit të Scaramuccit si shef për media i Shtëpisë së Bardhë.
Shtëpia e Bardhë e njoftoi me një deklaratë të shkurtër largimin e Scaramuccit. “Anthony Scaramucci do të braktisë rolin e tij si drejtor i komunikimit. Ai mendon se është më mirë t’i japë mundësinë shefit të ri të stafit John Kelly për të krijuar ekipin e tij. I urojmë gjithë të mirat”, thuhej në deklaratë. Më herët gjatë ditës, presidenti amerikan Donald Trump përmes një postimi në “Twitter” këmbënguli se Shtëpia e Bardhe nuk ishte përfshirë nga kaosi.



