
Mungesën e ujit në rajonin e Puglias mund ta zgjidhë vetëm Shqipëria. E përditshmja italiane “CDS” i referohet guvernatorit të rajonit Michele Emiliano, i cili i ka bërë një propozim kryeministrit shqiptar, që të ndërtohet një tub përkrah atij të gazsjellësit TAP për të sjellë ujin nga Shqipëria në Salento.
“Një tub që transporton ujë dhe që në krah kalon edhe një gazsjellës që do të përfundojë në Salento, ku do të zgjidhë njëherë e mirë të gjitha mungesat e ujit si në Puglia ashtu edhe në Campania”, ka thënë guvernatori. “Disa ditë më parë isha në Shqipëri ku takova kryeministrin Rama.
Në ato ditë në Shqipëri ishte edhe Toni Blair të cilin po kështu e takova. Ai ishte i shqetësuar për situatën e rendit publik në Salento kështu që unë i bëra një propozim në rakordim me kryeministin shqiptar: përse të mos ndërtojmë një tub që do të ecë përkrah atij të gazit që do të sjellë ujin e Shqipërisë, që ka aq shumë nevojë për ta shitur, në Salento, ku akoma marrin ujë nga pusi?
A nuk është edhe ky një kompesim mjedisorë? Është e mundur”, ka thënë Emiliano”, shkruan Corriere. Lakmia e italianeve për ujin shqiptar është e hershme, pasi gjatë periudhës kur Fatos Nano ishte kryeministër ka pasur një propozim për të marrë ujin që buron nga Syri i Kaltër në Sarandë drejt shtetit fqinj, por që ngeli vetëm në letër.



