
Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur masën “arrest shtëpie” për ish- ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri.
Mësohet se Prokuroria ka kërkuar burg pa afat për ish-ministrin, i cili vetëm pak ditë më parë dha dorëheqjen si deputet.
Por kërkesa e prokurorisë nuk u mor parasysh nga gjykata duke dhënë masën e sigurisë “arrest shtëpie”.
Në një deklaratë për mediat, thuhet se Gjykata vendosi pranimin pjesërisht të kërkesës së Prokurorisë, e cila kërkoi masën e sigurisë burg pa afat.
"Caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, ndaj shtetasit nën hetim Saimir Bashkim Tahiri, i datëlindjes 30.10.1979, si person i dyshuar për kryerje të veprave penale “Trafikimi i narkotikëve”, në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, e parashikuar në nenet 283/a dhe 333/a, në lidhje me nenin 28 të Kodit Penal dhe, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, e parashikuar në nenin 260 të Kodit Penal", thuhet në deklaratën për media.
Tahiri dha dorëheqjen si deputet i pavarur dhe pranoi të hetohet si qytetar i lirë për akuzat e përfshirjes në trafik droge me grupin e trafikantëve “Habilaj”.
Ish-deputeti socialist është nën hetim për përfshirje në trafikun ndërkombëtar të drogës nga Shqipëria në drejtim të Italisë.
Por ditët e fundit për çështjen "Tahiri" ka folur edhe Gjermania në takimet me qeveritarët shqiptarë, edhe pse shumë herë në deklaratat e fundit të kryeministrit Rama janë hedhur poshtë që në diskutimet si me kancelaren Merkel edhe me ministrat gjerman të jetë kërkuar arrestimi i ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.
Tahiri u përfshi në skandalin e përgjimeve të trafikantëve “Habilaj” kushërinj të tij të largët, të cilët e përmendinin në shumë biseda si personin që kishin mbështetje dhe ndanin fitimet nga trafikimi i lëndëve narkotike.
Skandali u shtua edhe me shumë kur Tahiri u shiti makinën e tij atyre dhe më pas e përdori për të udhëtuar me familjen, por në përgjimet e Prokurorisë së Katanias del se me mjetin "Audi" me targa AA 003 GB, Habilajt kanë trafikuar lëndë narkotike.
Pas kësaj nisën hetimet paralele në Itali dhe Shqipëri, por edhe pse prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi arrestimin e tij, Kuvendi nuk ia hoqi mandatin e deputetit. Partia Socialiste e shkarkoi nga të gjitha funksionet dhe prej 6 muajsh ai qëndroi si deputet i pavarur deri më 3 maj, kur dha dorëheqjen nga Kryesia e Kuvendit me një fjalim të gjatë.
Pas daljes së skandalit, Saimir Tahiri u shkarkua nga detyra e ministrit të Brendshëm, konkretisht më 11 mars të 2017-ës.



