Shën Sofia është një nga objektet më të rëndësishme të historisë së Stambollit, një pikë referimi e krishterimit, islamit, politikës, artit dhe arkitekturës.
Struktura aktuale e saj, është e treta e ngritur në të njëjtin vend, pasi dy të mëparshmet u shkatërruan nga zjarret. Ndërsa projektin ia besoi arkitektit Isidoro di Mileto dhe fizikantit e matematicienit Antemio di Tralle, Perandori Justiniani i parë, vendosi që ky objekt do të ishte shumë herë më i madh se dy të parët, ndërsa baza materiale u mblodh nga i gjithë vendi: kolonat Helene nga tempulli i Artemisës në Efes, gurët e mëdhenj magmatik nga Egjipti, mermeri nga Thesalia në Greqi, gurët e zinj nga Bosfori ndërsa ata në nuancë të verdhë u sollën nga Siria. Më tepër se 10 mijë punëtorë u angazhuan në kantier.
Që në nisje, kjo bazilikë u identifikua si më e madhja e kristianizmit, ndërsa inagurimi i saj u bë në 27 dhjetor të vitit 537. Bazilika e re e Shën Sofisë, u bë selia e patriarkut të Kostandinopojës, vendi kryesor i zhvillimit të ceremonive të rëndësishme, mes tyre dhe kurorëzimeve.
Gjatë kryqëzatës së katërt, me pushtimin e Kostandinopojës, kisha u plaçkit nga të krishterët latinë. Historiani bizantin Niceta Coniata përshkruan objektet e shumta që u vodhën nga Shën Sofia, mes tyre një gur varri dhe qefini i Jezusit, qumështi i Shën Mërise dhe eshtrat e disa shenjtorëve. Shën Sofia u kthye në një katedrale katolike romake.
(1453-1931)
Ishte sulltani Mehmet i Dyte, ai i cili Shën Sofinë e ktheu në xhaminë Aya Sofja. Gjatë sundimit të tij dhe të pasardhësve, godinës iu shtuan minarët, altari i orientuar drejt Mekës dhe kolonat kolosale krah tij. Mbi kolona u vendosen 8 medalione gjigande ku lexohet Allah, profeti Muhamed, emrat e 4 kalifëve të parë dhe dy nipërve të Muhamedid.
MUZE (1935-2020)
Vendimi për kthimin e Aya Sofias në një muze, u mor nga presidenti i parë, themeluesi i republikës turke, Mustafa Kemal Atatürk. Tapetet u spostuan duke nxjerrë në pah pas shumë shekujsh, dekorimet e dyshemesë së mermertë, nga muret u hoq suvaja që mbulonte shumë prej mozaikëve. Zhvillimet e riteve fetare, ishin rreptësisht të ndaluara. Por në vitin 2006, pak para vizitës se Papa Benediktit të 16-të, qeveria turke vendosi që një nga dhomat e komp-leksit museal të kthehej në një vend lutjesh për të gjitha fetë.
Në vitin 2010, organizatat islamike dhe anëtare të qeverisë kërkuan me ngulm që Aya Sofja të jetë objekt kulti ekskluzivisht i fesë islame. 3 vjet më vonë, nga minarët e ndërtesës, dy herë në ditë, këndohej ftesa për namaz.
XHAMI (2020)
Duke e konsideruar si një gabim të madh kthimin në një muze të Shën Sofisë, presidenti turk Rexhep Taip Erdogan, paralajmëron rikthimin e saj në xhami. Në 10 korrik të vitit 2020, qeveria anuloi dekretin e Ataturkut për funksionimin e objektit si një muze. Në të njëjtën ditë, presidenti Erdogan, me një dekret presidencial, i kthen Shën Sofinë islamizmit.
Ky vendim i Erdogan, solli reagime të shumta. UNESCO foli për mungesë komunikimi dhe i kujtoi qeverisë impenjimin e marrë që ky objekt të jetë i hapur për qytetarët e çdo feje, çka shërben në ruajtjen e vlerave të tij. Patriarku i Beogradit Irenei, kërkoi që Shën Sofia të përdoret për ritet islame po aq sa për ato të krishtera, por pa hequr statusin e muzeut ndërsa Papa Francesko gjatë meshës të së dielës në sheshin Shën Pjetër, u shpreh shumë i keqardhur për këtë vendim të presidentit turk.



