Mjeku Erion Dasho, thotë se eksodi i mjekëve dhe infermierëve nga Shqipëria drejt vendeve të tjera nuk vjen vetëm për shkak të pagës.
Në një intervistë për edicionin e lajmeve në MCN TV, ai përmendi mungesën e motivimit dhe zhvillimit profesional.
Sipas tij, në sistemin shëndetësor shqiptar mungojnë teknologjia dhe pajisjet bashkëkohore, dhe ndërkohë që flitet për inteligjencën artificiale, mjekët shqiptarë e plotësojnë kartelën me shkrim.
Së pari janë faktorët motivues në karrierë të cilët mungojnë. Sistemi shëndetësor në Shqipëri nuk mundëson që të zhvillohesh si profesionist dhe të bësh karrierën dhe të përmirësosh aftësitë, për të mësuar teknika të reja diagnostikuese, trajtuese, ose operatore për të ofruar një kujdes shëndetësor për pacientët.
Të mos mungojnë paratë dhe të mos e detyrojnë pacientin që të shkojë të blejë medikamentin nga xhepi. Mjekët largohen për të gjetur vendet, në kushtet e një sistemi shëndetësor që u krijon këto mundësi dhe nuk i pengon të zhvillohen nga ana profesionale dhe njerëzore.
Ata mjekë janë ose do bëhen dhe prindër dhe duan të blejnë dhe një shtëpi. Shkollat shqiptare janë ndër nivelet më të ulëta në Europë dhe në botë, nëse mjedisi vjen e ndotet, çmimet sa vjen e rritet, etj., kjo e detyron mjekun të largohet.
Është një tërësi problemesh të cilat deri më tani janë fokusuar vetëm tek elementi pagë. Ligji i cili i detyron studentët dhe mjekët e rinj të punojnë në Shqipëri pas marrjes së diplomës, ky ligj shkel një sërë të drejtash për të zgjedhur në mënyrë të rinj se ku do e ushtrojnë këtë profesion.
Por fakti që ky ligj kaloi dhe iu imponohet mjekëve të rinj që kanë studiuar në Fakultetin e Mjekësisë e bën situatën problematike.
Nëse mendohej se paga do të ishte zgjidhja, paga nuk ishte zgjidhja. Për të krijuar kushtet të mira për mjekun dhe pacientin, duhet filluar nga ajo që i ka munguar Shqipërisë në 30 vjet, reforma e sistemit shëndetësor parësor, si një sistem që ka në qendër pacientit. Nëse nuk ndodh kjo, nuk jemi në rrugën e duhur.
Organizimi shëndetësor është çorganizuar me një sistem që krijua para dhjetë vitesh që quhet sistemi i operatorëve të shëndetit, të cilët krijuan burokraci të panevojshme. Teknologjia dhe pajisjet bashkëkohore, mungojnë në sistemin shëndetësor shqiptar.
Nuk u bë rajonalizimi asnjëherë. Nëse do të ishte bërë rajonalizimi të paktën qytetarët do e kishin shërbimin shëndetësor më pak se një orë nga vendi ku banonin.
Sot për shumë shërbime si ato onkologjike, pacienti duhet të niset nga Vermoshi ose Konispoli për në Tiranë.
Kemi problemin e financimit të sistemit shëndetësor shqiptar, i cili është i keqfinancuar. Ne flasim për inteligjencë artificiale në shëndetësi, ndërkohë që mjekët shqiptar e plotësojnë ende kartelën me shkrim.
Si mund të bësh inteligjencë artificiale në kohën kur sistemi shëndetësor shqiptar nuk ka dixhitalizim në asnjë shkallë të tij.



