
Më shumë se 20 mijë meshkuj britanikë janë potencialisht pedofilë. Shefi i policisë britanike e cilëson këtë fakt të bazuar në të dhënat e poolicisë me një rrezik të ngjashëm me atë terrorist.
Rreth 4000 meshkuj nga Britania e Madhe janë identifikuar si përdorues aktivë të një dhome çati, e cila është monitoruar gjatë vitit 2017, thotë Simon Bailey, shef i Këshillit të Drejtuesve të Policisë Britanike, në një raport mbi punën për mbrojtjen e fëmijëve. Megjithatë, ai shton se janë shumë më tepër se kaq meshkujt e interesuar në abuzimin seksual të fëmijëve. Numri i përllogaritur nga hetuesit e policisë arrin në 20 mijë, praktikisht e njëjta shifër me atë të ish-të dyshuarve dhe të dyshuarve për lidhje me terrorizmin.
Të paktën 72 mijë raportime për imazhe me fëmijë të abuzuar janë bërë në Agjencinë Kombëtare kundër Krimit në 11 muaj të vitit 2017. Bailey thotë se fëmijët në shkolla duhet të informohen për rrezikun e abuzimit seksual në të njëjtën mënyrë siç instruktohen për t’i shpëtuar një sulmi terrorist.
“Kemi nevojë për të njëjtat paralajmërime si ato të terrorizmit në shkolla”, ka theksuar Bailey. Sipas tij, fëmijë nga çdpo familje mund të bien pre e pedofilëve, pasi ky kërcënim nuk njeh status social. Edhe prindërit më të kujdesshëm dhe ata të shkolluar e të mirëinformuar në lidhje me internetin mund të zbulojnë se fëmijët e tyre janë shënjestër e pedofilëve. /RT / Përgatiti: Gazmira Sokoli /



