Alban Musaku, një nga djemtë e programit “Vështrimi Kritik” që transmetohet në MCN Tv tha në studion e emisionit “Bilardo” të gazetarit Denis Dyrnjaja se jo të gjithë personazhet publike e presin mirë humorin.
Sipas Albanit, politikanët kuptojnë vetëm atë që kanë dëshirë.
Jo të gjithë personazhet publike e mirëpresin humorin. Mua nuk ka ndodhur, por kolegëve të mi u ka ndodhur. Kryesisht me politikanët, ata kuptojnë çfarë u do qejfi.
Megjithatë, Albani tha se sipas asaj që kanë dëgjuar kryeministri Rama është një personazh i cili e pëlqen humorin që bën “VK”-ja.
Thonë që Rama na ka qejf. Kur ka qenë i ftuar një herë tek Rakipi i ka thënë që çunat e Çmendinës i kam qejf.
Marenglen Kaso tha me ironi se ministrat dhe ministret nuk ka kush t’i kopjojë për gjërat që thonë dhe ‘punët’ që bëjnë.
Ministrat dhe ministret nuk kanë kopje. Me gjërat që thonë dhe punët që bëjnë, veprat që kanë lënë.
Rei Beka, personazhi tjetër i ftuar në Bilardo u ndal të komentonte figurën e ministrit të brendshëm.
Ministri i Brendshëm është ndërruar herë pas here. Ky ka për detyrë sigurinë, ndalimin e krimit etj. Krimin nuk e kanë ndaluar ndonjëherë, por gjithsesi.
Teksa në “Bilardo” po komentohej Erion Braçe, Alban Musaku tha se problemi i deputetit është se ai bën vetëm konstatime për probleme të ndryshme, por që nuk shkon asnjëherë në institucione që ta bëjë denoncimin e tij.
Problemi i Braçes është që vetëm bën konstatime. Nuk mjafton që një problem ta bësh status në Facebook. Ik tek gjykata dhe thuaj në Lushnjë ka ndodhur kjo gjë. Të tregojë se ku e ka parë shkeljen.



