Studiuesi dhe kritiku i artit Josif Papagjoni, deklaron se rrjedhat e një Islami që ndërtohet mbi xhihade, për të risjellë Muhametin, Allahun, nuk janë gjë tjetër veçse rimodelime të një farë dhune apo koncepti të ngurtë duan ta imponojnë. “Në momentin që unë dua të imponoj këtë, këtu mbaron lidhja me Zotin. Në Kosovë ka më shumë terren Islami radikal. Ka nevojë për një shoshje ndryshe dhe kushte të tjera ndryshe. Gjykoj se lutja dhe falja bëhet brenda tempullit, është hipoteka jote. Është personale, kur do ta demonstrosh dhe ta bësh gati gati si festë kombëtare nuk jam dakord. Duke parë që sheshi “Skënderbej” mbushet nga kjo masë e stërmadhe që jam i bindur që i thërrasin. Nuk ka nevojë të bëhet në mënyrë të hapur në të gjithë sheshin, se mund të ngjallë xhelozinë e komunitetit tjetër dhe të çojë në ndasi dhe mospranime”. Në emisionin “Arnautistan” në MCN Tv, Papagjoni tha se qeveria duke përfaqësuar vetëdijen absolute të kombit duhet të jetë e vëmendshme në fragmente që mund të krijojnë ndasi dhe keqkuptime. “Për mua ka ardhur koha për Shqipërinë që ndjek paradigmat europiane, duhet të krijojë një marrëveshje të re me komunitetet fetare. Shteti shqiptar dhe bashkitë duhet të jenë më të vëmendshme, duhet të vendosin një marrëveshje të re me komunitetet fetare. Nëse besimin e kthen në autoritet që kërkon territore, këtu lind teokratizmi. Ne jemi një shoqëri sekulare dhe kemi tolerancën fetare dhe duhet ta pranosh tjetrin me dallimin që ka. Nuk duhet të ma japësh me forcë atë që do.”



