
Deklaratën e presidentit serb, se do të shkojë në Bruksel vetëm nëse flitet për asociacionin, ish-ministri i Jashtëm, Paskal Milo, e sheh si përpjekje për t’u imponuar. Në studion e lajmeve, Milo tha janë dy arsyet që e kanë çuar Vuçiç në këtë qëndrim.
Është një qëndrim që dëshmon se Vuçiç kërkon të imponohet. E para, ai po e kërkon këtë që të bëhet fakt i kryer për shkak se mendon se Perëndimi ushtroi presion ndaj Kurtit që ta pranojë asociacionin. Ai po shfrytëzon këtë moment.
E dyta ai ndjeu reagimin e qarqeve nacionaliste serbe, ndaj mundësisë së një marrëveshjeje për njohjen e Kosovës. I ndodhur nën këtë presion por edhe për qëllime taktike, Vuçiç bën lëvizjen e radhës.
Milo theksoi se zgjidhja duhet të vijë përmes negociatave dhe jo imponimit. Por para së gjithash, Kosovës duhet t’i jepen garanci që asociacioni nuk do të jetë njëfarë Republika Srbska.
Kurti e ndjeu presionin që u bë ndaj tij. Ai tregoi gatishmërinë për të nisur negociatat. Ekzekutivi e ka përgjegjësinë e zbatimit të politikave. Kurti, në mos ka një shumicë të qartë parlamentare, ka një shumicë që e mbështet. Zgjidhja duhet të vijë përmes negociatave dhe jo përmes imponimit. Të negociosh me Beogradin është shumë e vështirë. Çdo marrëveshje duhet të përfshijë njohjen e sovranitetit dhe tërësisë territoriale të Kosovës. Kosova duhet të marrë garanci solide të qartësuara dhe të kuptuara mirë dhe të mos lejohet në mënyrë absolute që asociacioni të shndërrohet në një Republica Srbska në Kosovë.



