Ndërsa në fillim të këtij viti qeveria deklaroi se do të hiqte dorë nga praktika e bonuseve për pensionistët, duke premtuar se fokusi do të zhvendosej te reforma e re e pensioneve, zhvillimet e muajve të fundit treguan të kundërtën.
Pensionistët përfituan një bonus të ri prej 5 mijë lekësh, të shoqëruar edhe me indeksimin e pensioneve sipas normës së inflacionit. Megjithatë, reforma e shumëpërfolur e sistemit të pensioneve vijon të mos ketë një afat konkret zbatimi.
Në ‘MCN Economy’, pedagogia dhe studiuesja e sistemit të pensioneve, Teuta Nunaj, si edhe ekspertja e ekonomisë Romina Radonshiq, vlerësuan se bonusi sjell një lehtësim të përkohshëm, por nuk adreson problemet strukturore të skemës së pensioneve.
Sipas Romina Radonshiq, vlera e bonusit mbetet simbolike përballë kostos së jetesës dhe nevojave reale të pensionistëve.
Është për të ardhur keq që 5 mijë lekë është një shumë kaq e vogël. Nga informacionet që kam marrë, pensionistët janë në radhë për ta tërhequr. Ishte një surprizë që bonusi u dha në verë dhe sigurisht mund të justifikohet nga të ardhurat më të larta të buxhetit, por unë e konsideroj edhe si ‘bonusin e protestës’. Po shohim që qeveria ka nisur të marrë në konsideratë disa kërkesa të pensionistëve dhe mendoj se pa presionin publik ky bonus nuk do të ishte dhënë. Është edhe një mënyrë për të treguar se, kur shteti ka më shumë të ardhura, ndan diçka me shtresat më vulnerabël. Nuk është rastësi që edhe indeksimi, edhe bonusi po jepen pikërisht në muajin korrik.
Ekspertja theksoi se pensioni mesatar në Shqipëri mbetet larg nevojave minimale të një të moshuari.
Pensioni mesatar është rreth 200 euro. Me bonusin prej 5 mijë lekësh një pensionist mund të blejë ndonjë medikament që e ka shtyrë prej kohësh, por sigurisht jo të bëjë pushime. Pushimet për pensionistët shqiptarë janë luks. Prioriteti i tyre janë ilaçet, më pas ushqimet dhe në fund pagesa e faturave. Kjo është renditja e nevojave. Problemi është se kostoja e jetesës është rritur aq shumë, sa edhe familjarët po e kanë gjithnjë e më të vështirë t’i ndihmojnë, sepse mezi përballojnë shpenzimet e tyre.
Radonshiq argumentoi se rritja e pensioneve nuk mund të mbështetet vetëm te dëshira politike.
Një pensionist është një kategori shumë vulnerabël, me shpenzime të larta shëndetësore. Shteti mund të ketë dëshirë të rrisë pensionet, por mundësitë financiare janë të kufizuara. Zgjidhja afatgjatë lidhet me tregun e punës, me rritjen e numrit të kontribuuesve dhe me reforma të mirëfillta. Sot kemi kosto të lartë jetese, prodhim vendas të pamjaftueshëm dhe familjet shqiptare prej vitesh mbështeten te të ardhurat e emigrantëve. Rritja ekonomike nuk është përkthyer në mirëqenie për qytetarët.
Nga ana tjetër, Teuta Nunaj vlerësoi se as bonusi dhe as indeksimi nuk janë të pazakontë në aspektin ligjor, por mungesa e reformës po e detyron qeverinë të vijojë me masa të përkohshme.
Bonusi është i vonuar, nëse i referohemi praktikës së viteve të kaluara, pasi zakonisht është dhënë në pranverë. Ndërsa për indeksimin nuk ka një datë të përcaktuar në ligj. Ligji thotë vetëm se ai duhet të kryhet një herë në vit. Në historikun e viteve të fundit është bërë në muaj të ndryshëm, ndaj nuk mund të kërkohet llogari pse u bë në korrik. Sigurisht që mund të ketë pasur faktorë të tjerë që e kanë përshpejtuar këtë vendim.
Nunaj tha se bonusi mbetet një instrument politik dhe jo një detyrim i përcaktuar me ligj.
Bonusi nuk ka bazë ligjore që ta detyrojë qeverinë ta japë. Ai është një vullnet politik. Pikërisht për këtë arsye mund të jepet në çdo periudhë të vitit dhe të argumentohet me arsye të ndryshme. Por fakti që vazhdojmë të flasim për bonuse tregon se reforma e pensioneve ende nuk ka nisur realisht. Për sa kohë nuk merret një vendim për rritjen strukturore të pensioneve, qeveria zgjedh bonusin si zgjidhje të përkohshme.
Pedagogia ngriti shqetësimin edhe për mënyrën sesi po zbatohet procesi i kompensimit të pensioneve.
Procesi i kompensimit ka problematika të thella. Nuk është e drejtë që ata që kanë kontribuar më shumë të përfitojnë proporcionalisht më pak. Kjo tregon se ende nuk është marrë një vendim përfundimtar për reformimin e sistemit. Ka shumë arsye që mund të kenë ndikuar, por zgjidhja nuk mund të mbetet te bonusi.
Sipas saj, prioriteti i çdo reforme duhet të jetë ruajtja e qëndrueshmërisë financiare të skemës së pensioneve.
Këshilla kryesore që jepet gjithmonë është të ruhet stabiliteti i skemës. Një sistem pensionesh nuk mund të funksionojë nëse nuk mbështetet te numri i kontribuuesve dhe nëse krijon barrë të papërballueshme për buxhetin e shtetit. Skema shqiptare nuk është e falimentuar, por mbetet e dobët. Shqipëria vazhdon të ketë pensione të ulëta dhe larg një jetese dinjitoze. Në praktikë, shumë pensionistë mbijetojnë falë ndihmës së fëmijëve dhe remitancave. Emigrantët vazhdojnë të mbështesin në mënyrë të konsiderueshme ekonominë shqiptare dhe familjet e tyre. Duke pasur këtë realitet, qeveria ka zgjedhur të ruajë mbi të gjitha stabilitetin financiar të skemës, edhe pse kjo nuk përkthehet në pensione më të larta.



