Politologu Ilir Kalemaj ka komentuar në edicionin e lajmeve në MCN Tv zhvillimet e fundit politike në vend. Kalemaj e konsideroi si të pafalshme qëndrimin me nota ironie të Xhaçkës lidhur me investimin e bashkëshortit të saj në Jug si investitor strategjik. Kalemaj tha se duhet parë nëse do ketë koperturë politike të kryeministrit ndaj ministres, ndërsa theksoi se aferës i duhet të shkohet deri në fund.
Duhet parë nëse do ketë koperturë politike apo jo nga Rama. Ajo ka mbajtur postin e forumit të gruas, ministre e Punëve të Jashtme dhe Evropës, një prej ministrive më të rëndësishme. Burri i saj ka qenë ish-deputet dhe natyrisht ka përfituar duke përdorur edhe ndikimin e paligjshëm, Prokuroria duhet të hetojë. Tjetërsimi i pronave është bërë një çështje problematike. Mos harrojmë që në hipotekën e Vlorës drejtorët nuk rezistonin më shumë se 6 muaj. Nga pikëpamja etike, e Marrëdhënieve me Publikun, e rrezatimit në skakierën ndërkombëtare, nuk është gjë fort e mirë për kryeministrin, kur statusi për hapjen e negociatave me Shqipërinë është duke u diskutuar. Ministrja u përpoq të bënte ironiken, por përtej çdo sarkazme, s’ka asnjë emigrant shqiptar që të ketë mbledhur miliona euro nga puna në emigracion. Është e pafalshme që të bëj një ironi të tillë, dhe të thotë që burri im ka kursyer 2 milionë euro dhe më tepër. Sipas minisitres burri i saj i ka kursyer këto para në emigracion. Mendoj që është një aferë që duhet t’i shkohet deri në fund. Ka politikan gjerman që vetëm për përdorimin e makinës së punës pas orarit kanë dhënë dorëheqjen. Ndërkohë në Shqipëri nuk bën përshtypje që ministrja gdhihet investiore strategjike”.
Kalemaj tha po ashtu se është e pafalshme që disa deputetë si Duka dhe Doda tërhoqën firmat nga komisioni hetimor, duke u shprehur se nuk mund të ketë opozitarizëm part-time, sipas interesave.
Lidhur me protestën e 7 korrikut, Kalemaj tha se protestat e opozitës duhet të jenë konsistente, duke shtuar se nuk beson që dekreti i Metës për Presidentin e ri ka cenuar marrëdhënien mes tij dhe Berishës.
Protestat duhet të jenë gjithmonë në frymë në përputhje me nervin qytetar. Nuk mund të ketë protesta si njëherë e një kohë kur njerëzit silleshin me autobusë. Këto nuk bëjnë asgjë. Duhet parë pse opozita s‘ka marrë pjesë në protesta të shoqërisë civile, të ketë një ‘mea culpa’. Duhet që kërkesat që artikulon opozita të jenë në përputhje me ato që artikulojnë qytetarë. Është një varfëri akute, një inflacion dyshifror. Këto janë probleme akute që ndjejnë qytetarët. Opozita duhet të jetë lokomotiva e këtyre protestave pa afat. Ka një problem logjistik te protestat në stinën e verës. Fakti që zhvillohen në fundjava, temperaturat, bën që një pjesë e njerëzve të mos jenë në Tiranë. Protestat duhet të jenë konsistente. Natyrisht s’mund të lihen edhe për në shtator se do ishte vonuar. Duhet të kishin filluar kohë më parë, por nuk është kurrë vonë. Nuk besoj që dekreti i Metës ka cenuar marrëdhënien strategjike mes të dyve. Meta sipas pritshmërive do marrë drejtimin e LSI. Problemi është statusi legal i PD dhe marrëdhëniet në bazë mes militantëve të LSI dhe PD që jo gjithmonë kanë funksionuar. Ka problematika të së kaluarës që duhen tejkaluar nëse do kemi një opozitë vibrante, të fortë”.



