
Në një deklaratë për mediat, fill pas mbledhjes së Kryesisë së PS, kryeministri i vendit Edi Rama tha sot se përtej diskutimeve për procesin zgjedhor brenda partisë, në këtë mbledhje u diskutua edhe për vendimin e BE për të mos hapur negociatat.
Teksa njoftoi se në ditët në vijim do të ketë një takim me Presidentin e Francës, Emmanuel Macron dhe drejtues të tjerë të Bashkimit Europian, Rama theksoi që mos hapja e negociatave nuk do ndryshojë asgjë në strategjinë tonë.
“Kemi diskutuar edhe për pjesën tjetër, temën e ditës, lidhur me mos hapjen e negociatave, mos marrjen e vendimit të merituar për Shqipërinë dhe natyrisht që kemi rëndë dakord që kjo nuk ndryshon asgjë në trajektoren strategjike të vendit, të PS dhe strategjisë sonë. Ditët në vijim kam një sërë komunikimesh me Presidentin e Francës dhe një sërë drejtuesish tjerë të vendeve anëtare për të kuptuar ecurinë e mëtejshme të procesit”-tha Rama.
Gjithashtu, Rama shtoi më tej se Kryesia është dakordësuar për të nisur procesin e përfshirjes së grave dhe vajzave si bashkëkryetare të organizatës së PS.
“Sot nga një anë kemi parë ecurinë e procesit, nga ana tjetër kemi dakordësuar mbi propozimin e grave anëtare të Kryesisë dhe partisë, deputete e ministre, që të nisim procesin e përfshirjes së grave dhe vajzave si bashkëkryetare të organizatës së PS”-vijoi më tej Rama.
Ndër të tjera, kreu i mazhorancës theksoi se nuk ndjen asnjë përgjegjësi për dështimin me negociatat. Po ashtu, kryeministri akuzoi opozitën, duke thënë se ata kanë punuar shumë fort dhe nuk kanë lënë gur pa lëvizur për të dështuar procesin.



