
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi sot se pret nga ndërkombëtarët që ta gjykojnë dhe dënojnë sjelljen e Serbisë për moszbatim të marrëveshjes së arritur në Ohër me Vuçiç.
Kurti tha se zbatimi i marrëveshjes duhet të fillojë menjëherë.
Po ashtu ai theksoi se Beogradi nuk mund të shprehet kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, si dhe në mes të takimeve të thotë se nuk do të zbatojë asgjë.
"Pres nga faktorët ndërkombëtarë që ta gjykojnë e ta dënojë sjelljen e Serbisë e cila kur zhvillohen takime thotë se nuk nënshkruaj e ndërmjet takimeve thotë nuk zbatoj gjë. Nuk mund të flasë kështu pala tjetër kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, nuk mund të flasë sikur kurrë s’do ta njohë Kosovën meqenëse marrëveshja bazë është njohje de facto. Kjo është thelbësore për procesin dhe është e rëndësishme që të gjithë aleatët, miqtë tanë, të vazhdojnë të qëndrojnë pranë Kosovës kur ne jemi konstruktivë e të përkushtuar e kreativë si asnjëherë”, ka thënë Kurti pas konferencës nacionale me temë "Profesionistët e punës sociale në sistemin e mbrojtjes sociale” që është mbajtur në Prishtinë.



