Ermir Gjinishi, pedagog në Institutin e Studimeve Evropiane (ISE) tha në emisionin “Zonë e Lirë” se arritja e marrëveshjes së paqes në Gaza është produkt i ardhjes së Trump në pushtet.
Gjinishi tha se Trump ka bërë presionin e duhur te të dyja palët, përmes të deleguarit të SHBA-ve në Lindjen e Mesme.
Po ashtu ai rikujton mesazhin e qartë që Trump i dha Netanjahut gjatë takimit në SHBA, ku i kërkoi mbyllje të konfliktit para përurimit të tij.
“Paqja në Gaza fillon të zbatohet të dielën. Pse e vendosi Trump-i paqen? Në nëntor u mbyll lufta me Libanin, dhjetor çlirimi i Sirisë, dhe tani në janar. Për një kohë dy mujore kemi tri paqe në tri konflikte të mëdha, dhe ju thoni që faktori Trump është jashtë loje?! Kurrsesi. SHBA-Egjipt-Katar kanë qenë tre shtetet kryesore në negociata. I deleguari i Trump për Lindjen e Mesme ka marrë pjesë në negociata. Si duket ekipi i Trump ka bërë presionin e nevojshëm për të dyja palët. Nuk diskutohet që është produkt i ardhjes së Trump në pushtet. Izraelit iu imponua paqja, gjatë takimit që Trump pati me Netanjahun gjatë fushatës në SHBA, Trump ia bëri të qartë zgjidhe konfliktin para datës 20, pas datës 20 s’të pyes më. Të dyja palët kanë humbur dhe kanë fituar. Palestina ka humbur shumë, janë 45 mijë të vrarë. Palestina ka humbur shumë. Izraeli vetëm humbje në ekonomi llogaritet 90 miliardë. Humbi imazhin e një force të padiskutueshme në rajon, sepse u cenua siguria kombëtare. Ka destabilitet të brendshëm të jashtëzakonshëm, dhe pritet që një etapë e dytë të nisë pas paqes për Izraelin”.
Gjinishi mendon që ideja e Izraelit të madh tanimë është djegur.



