
Prokuroria e Fierit ka mbyllur hetimet për vrasjen e dy vëllezërve në Roskovec, krim i ndodhur në shtator të vitit të kaluar, duke dërguar për gjykim shtatë persona.
Prokuroria Fier, përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasit Altin Kuka, Ervis Kuka dhe Emaurisio Kuka për veprën penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” si dhe katër persona të tjerë për përkrahje të autorit të krimit e moskallëzim të krimit.
Në përfundim të hetimeve, u provua se të pandehurit Altin Kuka, Ervis Kuka dhe Emaurisio Kuka, në bashkëpunim me njeri-tjetrin, kanë kryer vrasjen e vëllezërve Gramos Kurtaj dhe Lavdimir Kurtaj.
Pak para se të ndodhte ngjarja, i pandehuri Ervis Kuka, ka patur një konflikt fizik me djemtë e viktimës Gramos Kurtaj, si dhe ka qëlluar me pistoletë kundrejt tyre dhe viktimës Gramos Kurtaj. Pas komunikimit telefonik dy të pandehurit Emaurisio Kuka dhe Ervis Kuka janë takuar dhe ky i fundit i ka treguar ngjarjen.
Armën e zjarrit, automatik luftarak i modelit 56, me të cilën i pandehuri Altin Kuka ka qëlluar viktimat Gramos Kurtaj dhe Lavdimir Kurtaj, i pandehuri Ervis Kuka i ka lënë në kasollen përbri pularisë me qëllim për t’i marrë në vijim i pandehuri Emaurisio Kuka.
Ky i fundit, pasi ka marrë armën e zjarrit, automatik luftarak, ka shkuar në vendin ku ndodheshin viktimat, ka frenuar menjëherë para lokalit të tyre, ka marrë armën dhe ka mbushur karikatorin e saj, duke nxitur të pandehurin Altin Kuka të qëllojë me breshëri drejt tyre. I pandehuri Altin Kuka ka shtënë ndaj viktimave Gramos Kurtaj dhe Lavdimir Kurtaj me armën e zjarrit automatik luftarak, të cilën ia mori nga dora të pandehurit Emaurisio Kuka.
Gjithashtu, për të njëjtën ngjarje, Prokuroria ka marrë të pandehur dhe ka kërkuar dërgimin e çështjes në gjyq të të pandehurve: T.Z., akuzuar për kryerjen e veprës penale “Përkrahja e autorit të krimit” parashikuar nga neni 302/2 i K.Penal; Y.K., akuzuar për kryerjen e veprave penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”, parashikuar nga nenet 278, prg. 3 e 4, dhe 280, të Kodit Penal; R.H. akuzuar për kryerjen e veprës penale “Moskallëzimi i krimit” parashikuar nga neni 300 i K.Penal; dhe E.H. akuzuar për kryerjen e veprës penale “Moskallëzimi i krimit” parashikuar nga neni 300 i K.Penal.



