
Një operacion i policisë italiane në Cantanzaro, Itali, ka përfunduar me sekuestrimin e një sasie prej 5 tonë marijuanë, e mbërritur nga Shqipëria. Në pranga janë vënë 25 persona të përfshirë në rrjetin e trafikimit, mes tyre 3 shqiptarët: Indrit Buja, 37 vjeç; Elvis Hajdini, 25 vjeç dhe Shefik Muho, 34 vjeç, të gjithë nga Vlora.
Shqiptarët e arrestuar dyshohet se janë përgjegjës për transportimin e lëndës narkotike nga Shqipëria drejt Italisë përmes detit Adriatik.
Hetimet e policisë italiane zbuluan se klanet kalabreze kishin krijuar kontakte me “kartele shqiptare” të importimit të drogës, falë të cilave kanë arritur të fusin në Itali përgjatë 3 muajve 5 tonë marijuanë.
“Bashkëpunimi mes klaneve kalabreze dhe shqiptarëve ka rezultuar aq i suksesshëm saqë nuk ka pasur më nevojë për ndërmjetësimin e kontakteve në Brindisi, historikisht në biznes me trafikantët e vendit të shqiponjave”, shkruajnë mediat lokale në Itali.
Pasi mbërrinte në brigjet pulieze, marijuana e kultivuar në Shqipëri ndahej në pjesë dhe përfundonte duke u shpërndarë në sheshet e Italisë.
Hetimet kanë provuar përfshirjen e 46 personave, të cilët kishin secili rolin e përcaktuar në aktivitetin e paligjshëm, që nga financuesit e ndërmjetësuesit deri të përkthyesit e korrierët, monitoruesit e lëvizjeve të motoskafeve të Guardia di Finanzas, ata që ruanin lëndën pasi magazinohej apo e ndanin në pjesë.



