
Drejtoresha e programeve për turizmin në Ministrinë e Turizmit, Herida Duro, për forumin dy ditor ndërkombëtar të turizmit ku marrin pjesë përfaqësues nga 300 shtete të ndryshme të botës dhe ku fokusi është përmirësimi dhe zhvillimi i këtij sektori, e cilëson këtë ngjarje si domosdoshmëri për momentin, teksa vëmendja është më e përqendruar ndaj Shqipërisë.
Në një lidhje për edicionin e lajmeve në MCN Tv, ajo deklaroi se ky ishte moment i prezantimit të Shqipërisë, duke i pritur të gjithë në Shqipëri dhe duke prezantuar kartolinën që Shqipëria mund të ofrojë për turistët e huaj, por edhe për investime të rëndësishme strategjike.
Ajo shtoi se sot nuk flasim për një turizëm sezonal apo periodik, por flitet për një turizëm që përfshin të gjitha degët dhe fushat dhe ku mikpritja ka qenë një nga veçoritë e forumit.
Oferta turistike nuk është vetëm det, turizëm malor, sot ka një diversitet, pasi Shqipëria ofron elementë të jashtëzakonshëm, kemi një turizëm fantastik sportiv, kemi një turizëm tjetër të të rinjve, të festivaleve ndërkombëtare, kemi turizëm të diversifikuar.
Për fat të mirë në një territor të vogël si Shqipëria është e mundur që të ofrohen në një mjedis të afërt dhe të prekshëm me njeri tjetrin të gjitha.
Ndërsa një ndër problematikat e evidentuara në diskutime ka qenë mungesa e fuqisë punëtore dhe investimet e munguara në turizëm për të mos qenë vetëm turizëm sezonal, Duro tha se kjo është një nga sfidat që ngrihet herë pas here.
Sipas saj, investitorët strategjikë fuqinë e tyre punëtore e gjejnë në vendin tonë dhe ata janë shumë të kënaqur, për mënyrën se si janë adaptuar dhe sillen.
Kuptohet që ka nevojë për përmirësime dhe trajnime të herë pas hershme se dhe turizmi evolon në të njëjtën mënyrë.
Ajo që ne po përpiqemi të përmendim dhe të kemi në terminologjinë tonë të përgjithshme, është se ne nuk përgatitemi për një sezon turistik, por për gjithë sezonet, duke filluar nga janari në dhjetor.
Ndaj gjithë ky mobilizim duhet të jetë i vazhdueshëm dhe me angazhim të plotë.



