
Qeveria amerikane po kërkon informacione të reja mbi Huawei Mate 60 Pro, një smartphone kinez me një çip të avancuar.
Telefoni i ri celular ka një procesor 5G Kirin 9000’s dhe ka shqetësuar SHBA-në sepse konsiderohet shumë i avancuar, rezultat i marrë pavarësisht kufizimeve që Uashingtoni ka vendosur për të bllokuar bashkëpunimin mes kompanive amerikane dhe kineze të teknologjisë.
Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Jake Sullivan pranoi se SHBA-ve u duhen “më shumë informacion mbi përbërjen” e pajisjes elektronike për të kuptuar nëse disa pjesë teknologjike kanë arritur të anashkalojnë kufizimet amerikane për mikroçipet.
Në vitin 2019, qeveria amerikane i ndaloi kompanitë amerikane t’i shesin softuer dhe pajisje Huawei. Uashingtoni kishte përmendur shqetësimet e sigurisë së brendshme si sulmet e mundshme kibernetike dhe spiunazhi.
Krijimi i një çipi të avancuar për 5G është një sukses i madh për Huawei dhe një thirrje zgjimi për amerikanët.
Kur kompania kineze prezantoi produktin muajin e kaluar, nuk u dhanë shumë informacion në lidhje me mikroçipin dhe në faqen zyrtare të Huawei mungonin shumë detaje.



