
“Ne jemi në kontakt të drejtpërdrejtë me aleatët tanë të NATO-s. E theksoj: ne nuk kemi prova të sakta që do të na lejonin të konkludojmë se ishte një sulm ndaj Polonisë”.
Kështu ka deklaruar presidenti polak Andrzej Duda, siç raportohet në llogarinë e presidencës polake në Tuiter.
Raketa ishte "ndoshta një aksident fatkeq", shtoi Duda.
NATO deklaroi se raketa që ra në Poloni, erdhi nga Ukraina. Megjithatë, Polonia nuk ka aktivizuar ende nenin 4 të NATO-s.
Neni 4 i Traktatit të Uashingtonit parashikon se "Palët do të konsultohen me njëra-tjetrën sa herë që, sipas mendimit të njërës prej tyre, kërcënohet integriteti territorial, pavarësia politike ose siguria e njërës prej palëve".
Edhe presidenti amerikan, Joe Biden, sië raporton DPA, u ka thënë udhëheqësve të G7-s se raketa ishte një raketë kundërajrore nga Ukraina.
Biden ka specifikuar se ishte një raketë e sistemit S-300, por nuk ka gjasa të jetë lëshuar nga Rusia.



