Një studiues i sjelljes seksuale ka arritur të një përfundim të habitshëm në lidhje me pedofilinë. Dr. Klaus Beier, i cili drejton një klinikë ku trajtohen pedofilët, thotë se pedofilia në thelb është çështje fati dhe jo zgjedhje. Pra, pedofil lind, nuk bëhesh. Në një intervistë për “times of India”, dr. Beier thotë se shoqëritë e shëndosha duhet ta pranojnë se “pedofilia është një realitet mes nesh”. Pavarësisht se është e vështirë të vlerësohet, llogaritet se rreth 1 për qind e popullsisë së botës e ka këtë devijim seksual.
Dr. Beier thotë se shoqëritë duhet të punojnë më shumë për të parandaluar këtë fenomen sesa për të ndëshkuar pedofilët. Ai e cilëson të pakuptimtë sugjerimin që u jepet pedofilëve për t’i përqendruar fantazitë e tyre seksuale te gratë në vend të fëmijëve.
“Shumë njerëz mendojnë se ata duhet të përqendrohen te femrat e rritura. Ata mendojnë se është zgjedhje. Është çështje fati, jo zgjedhje”, thotë ai.
Përfundimi në të cilin ka arritur doktori gjerman mbështet edhe një hipotezë të një psikologu kriminal, sipas të cilit “pedofilia është orientim seksual”, njësoj si të qenit hetero apo homoseksual. Si drejtues i Institutit të Seksologjisë dhe Mjekësisë Seksuale në Berlin, doktori thotë se ai është kontaktuar nga mijëra njerëz që kërkojnë ndihmë për të larguar ndjenjën e tërheqjes seksuale nga fëmijët.
Dr. Beier thotë se tërheqja seksuale ndrejt një fëmije lind në adoleshencë dhe mbetet e tillë gjatë gjithë jetës.
Ai thotë se materialet pedopornografike në internet u shërbejnë këtyre njerëzve si “çlirim”, por ata duhen identifikuar dhe ndaluar para se të arrijnë te fëmijë të vërtetë.
Doktori thotë se puna me raste të hershme të pedofilisë, pra pacientë në rini të hershme, ka rezultuar e suksesshme. / Përgatiti: Gazmira Sokoli /



