Protesta në Tiranë në mbrojtje të Zvërnecit ka hyrë në ditën e nëntë, ndërsa aktivistët vijojnë të kërkojnë pezullimin e punimeve dhe transparencë të plotë mbi projektin e ndërtimit në zonën e mbrojtur.
Në një lidhje direkte me MCN TV, aktivisti Taulant Bino deklaroi se protesta ka nisur si reagim ndaj mungesës së informacionit dhe shkeljeve të pretenduara ligjore në procesin e miratimit të projektit.
Është një protestë që të jep frymëzim, mjafton të shohësh bulevardin e Tiranës dhe kupton që ka entuziazëm, ritëm. Ne kemi qenë që në fillim denoncuesit e parë për projektin e Zvërnecit, duke dhënë edhe alarmin për punimet aty. Për ne është një zonë e mbrojtur dhe nuk mund të preket pa pasur transparencë, dhe kjo nuk ka të bëjë vetëm me Zvërnecin, por edhe me shumë zona të tjera të mbrojtura në vend.
Ai shtoi se shqetësimi kryesor lidhet me mungesën e dokumentacionit të bërë publik dhe mënyrën se si është dhënë leja e zhvillimit.
Ka mungesë transparence, në të vërtetë nuk ka një raport të bërë publik, prandaj ne shohim që shkelen shumë ligje dhe transparenca vijon të mungojë. Leja e zhvillimit të projektit është dhënë duke shkelur ligjin.
Duke komentuar reagimet ndërkombëtare, Bino u shpreh se deklaratat e Bashkimit Europian i interpreton si një sinjal kritik ndaj vijimit të punimeve.
Deklaratën e Bashkimit Europian e shoh si një mënyrë për të thënë ndaloni punimet, ndaloni projektin dhe ndalni këto plane të çmendura.
Sipas tij, protestuesit nuk janë kundër zhvillimit në parim, por kundër mënyrës së zbatimit të projekteve.
Protestuesit nuk janë kundër zhvillimit, por janë kundër zhvillimit pa transparencë. Ne nuk jemi kundër investimeve, por kërkojmë transparencë dhe respektim të ligjit. Kryeministri duhet të respektojë i pari ligjin, pastaj të tjerët.
Ai shtoi se kërkesa kryesore mbetet pezullimi i punimeve deri në sqarimin e plotë ligjor të çështjes.
Ne kërkojmë ndalimin e punimeve deri në sqarimin e plotë ligjor. Deri sa të ketë dokumente të qarta ligjore, ne do të vijojmë të kërkojmë pezullimin deri në fund.



