Një poezi jo konvencionale nga Rita Petro, natyra dhe stilistika e së cilës ka marrë kritika të ashpra në rrjetet sociale

Një poezi jo konvencionale nga Rita Petro, natyra dhe stilistika e së cilës ka marrë kritika të ashpra në rrjetet sociale

Në këtë monolog unë do të them disa gjëra të çuditshme lidhur me mbi një vjershë të çuditshme, të shkruar nga një person i çuditshëm që quhet Rita Petro. Dhe vjersha ka titullin e çuditshëm: “E dashura e babait”.

Unë e kam thënë timen lidhur me këtë vjershë në portalin “Babel.al”, i cili është një portal që sapo ka dalë. (Ju ftoj që ta vizitomi herë pas here, sepse është interesant.) Sidoqoftë, pavarësisht se kam shkruar edhe më herët për këtë vjershë, po shfrytëzoj monologun e programit “Arnautistan” për të thënë diçka më tepër.

Vjersha është si më poshtë:

“E dashura e babait na zbukuroi jetën

Vetëm unë e ndjej këtë të fshehtë

Me nënën s’ka qenë kurrë më i dashur

Dhe aq i gatshëm në punët e shtëpisë

Mua më ngacmon shpesh për të dashurin

Syrin ma shkel, ndihemi miq

Veç vëllai grindet ndonjëherë

Kur me xhupin e tij babai del

E dashura e babait na zbukuroi shtëpinë

Por pse ta fsheh, më mundon një frikë.”

Siç e shihni vjersha është mirëfilltazi e çuditshme. Dhe në platformat e mediave sociale e kanë masakruar. Ashtu siç kanë bërë edhe më herët me vjersha të tjera të Rita Petros, që kanë qenë edhe më të guximshme se kaq, edhe më të “pacipa” se kaq. Dhe nuk i kanë lëshuar kritikat bazuar te natyra disi prozaike e kësaj vjershe - sepse ajo është dukshëm prozaike. Nuk e ka atë vargëzimin e ëmbël dhe poetik, dhe melodioz të një poezie. Nuk e ka edhe atë ritmin e brendshëm të një poezie.

Unë po veçoj katër vargje ku ilustrohet mungesa e këtij ritmi:
“E dashura e babait na zbukuroi jetën

Vetëm unë e ndjej këtë të fshehtë

Me nënën s’ka qenë kurrë më i dashur

Dhe aq i gatshëm në punët e shtëpisë...”

Pra, këtyre vargjeve u mungon ritmi. Teknikisht, Rita Petro mund të bëjë gjëra fantastike në poezi. Dhe në fakt në gjysmën e kësaj vjershe, ajo është absolutisht e arrirë. Janë disa vargje, për shembull, që e ilustrojnë këtë gjë:

“Mua më ngacmon shpesh për të dashurin

Syrin ma shkel, ndihemi miq

Veç vëllai grindet ndonjëherë

Kur me xhupin e tij babai del...”

Megjithatë, siç e shpreha edhe më sipër, vjershën nuk e kanë qortuar dhe masakruar për motive stilistike, por për të tjera motive, për motive ekstra letrare. Vjersha është qortuar bazuar mbi kritere të rrepta morale. Lexuesit janë tronditur, në fakt, nga fabula. Dhe unë e përfytyroj se është një fabul shumë tronditëse për një pjesë të madhe të shoqërisë sonë që janë namusqarë. Janë tronditur nga fabula, nga mesazhi dhe mbi të gjitha nga fakti se këtë mesazh e përcjell një grua, një zonjë, një vajzë. Janë tronditur edhe nga fakti se kjo vajzë romantizon tradhtinë e babait ndaj nënës. Romantizon figurën e babait që i punon rrengje nënës prapa shpinës së saj. Do, s’do Rita Petro, përcillet edhe mesazhi tjetër: që një baba që tradhton nënën mund të qëllojë të jetë pikërisht për këtë shkak një baba më i mirë, një baba më empatik. Madje jo vetëm baba, por edhe një bashkëshort më i mirë, më i vëmendshëm ndaj nënës së fëmijëve të tij, dhe bashkëshortes së vet.

Duket qartë se vjersha është qartazi kontroverse. Dhe unë nuk do t’ia sugjeroja askujt që këtë vjershë ta bënte pjesë të antologjive letrare të shkollave të mesme. Do të ishte një gjë absurde, sepse vjersha (ashtu siç e përcaktova në fillim) është e çuditshme. Për të rinjtë ajo mund të ishte trazuese. E madje jo vetëm për të rinjtë, por edhe për disa të rritur që këmbëngulin të mbeten të parritur.

Kjo vjershë provokon, por unë mendoj, se në përgjithësi arti provokon. Arti trazon. Një art që nuk trazon, sipas meje, nuk vlen si i tillë. Arti trazon duke sjellë përpara syve tanë rrethana humane. Dhe është pikërisht kjo që bën Rita Petro. Ajo sjell një rrethanë humane që nuk është tipike, përkundrazi është atipike. Por ajo mbetet humane. Dhe Rita Petro e sjell nëpërmjet një sinqeriteti. Rrëfimi i saj poetik është absolutisht i sinqertë. Dhe unë e çmoj për këtë. Nëse unë do të isha një kompozitor, do të bëja një këngë fantastike mbështetur te kjo vjershë. Nëse unë do të isha një piktor, unë do të bëja një tablo të bukur bazuar te fabula e kësaj vjershe. Sikur të isha ky që jam do të bëja këtë që po bëj, një monolog në programin “Arnautistan”.

 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy