Një gjykatës federal në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka pezulluar vendimin e Presidentit Donald Trump për ndalimin e personave transgjinorë në ushtri, duke përmendur parimin e barazisë.
Duke cituar Deklaratën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara, e cila thotë se “të gjitha qeniet njerëzore janë krijuar të barabartë”, gjykatësi i Uashingtonit bllokoi urdhrin ekzekutiv të nënshkruar në janar nga Presidenti amerikan.
“Për të siguruar që ne kemi forcën luftarake më vdekjeprurëse në botë, ne do të çlirojmë ushtrinë tonë nga ideologjia transgjinore”, tha Trump më 27 janar.
“Shprehja e një “identiteti gjinor” të rremë që është i ndryshëm nga gjinia e një individi nuk mund të përmbushë standardet rigoroze të kërkuara për shërbimin ushtarak”, thuhet në urdhrin ekzekutiv të nënshkruar nga Presidenti amerikan dhe më pas të kundërshtuar në gjykatë nga një grup personash transgjinorë.
Një gjykatës federal në Uashington tha se urdhri i Trump ishte “karakterizuar nga armiqësia” ndaj personave transgjinorë, pa asnjë justifikim ligjor apo racional për përjashtimin e tyre nga ushtria.



