Kryeministri Edi Rama premtoi dëmshpërblim për të gjitha dëmet e pasuara nga zjarret e ditëve të fundit.
Në një komunikim live me ndjekësit në rrjetet sociale Rama tha se 72 orët e fundit ishin tejet të vështira për shkak të zjarreve që patën një zhvillim më të madh se sa çdo herë më parë.
Në radhë të parë dua që t’iu shpreh ngushëllim kujt humbi të afërmin e vetë dhe gjithë solidaritetin atyre familjeve që faktikisht kanë humbur shtëpinë nga zjarri.
Tani që flasim janë 207 shtëpi të dëmtuara, të prekura nga zjarri, por në këtë numër hyjnë 40 familje deri tani të cilat faktikisht e kanë humbur shtëpinë plotësisht.
Dua t’i siguroj gjithë ata që kanë humbur shtëpitë apo kanë pësuar dëmtime, se ne po bëjmë sipas protokollit të situatës dhe me autoritetet përkatëse inventarizimin e plotë të këtyre dëmeve dhe siç ka ndodhur në të shkuarën do të ndodhë përsëri.
Askush nuk do të jetë vetëm dhe nuk do të mbetet vetëm pa e pasur në krah qeverinë dhe shtetin, për tu rikthyer në një shtëpi më të mirë dhe më të fortë dhe për të marrë dëmshpërblimet për krerët e humbur, deri tani numërohen mbi 3600 krerë të humbur, ndërkohë që inventarizimi i tyre vazhdon.
Mirënjohje dhe respekt për të gjitha forcat e angazhuara në terren, kanë qenë në total 10249 forca në terren të të gjitha llojeve, që kanë pasur pjesën e tyre të frontit, por në radhë të parë mirënjohje, respekt dhe falenderim për trupat zjarrfikëse të cilat meritojnë të gjithë admirimin.
Sa i takon zërave se është blerë avion për udhëtimet e tij, Rama deklaroi se avioni përdoret vetëm për udhëtimet zyrtare dhe se çdo udhëtim tjetër ai dhe familja e tij e bëjnë me fluturimet e linjës.



