
Pasi i mbijetoi atentatit të tri ditëve më parë, Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, ka thënë se 11 vrasës të trajnuar ishin paguar 50 milionë dollarë për ta ekzekutuar.
Maduro tha se ka informacione sipas të cilave vrasësit ishin trajnuar në një fermë në Chinacota, Kolumbi, dhe po planifikonin sulmin e 5 korrikut, i cili u shty për shkak të mbërritjes së vonuar të dy dronëve.
Në një fjalim televiziv nga pallati presidencial të mërkurën, Maduro shtoi se të dyshuarit po monitoronin shfaqjet e tij në publik dhe u ishte premtuar se do të mund të qëndronin në SHBA pas sulmit.
“E pashë vdekjen në sy dhe i thashë: Nuk ka ardhur ende koha jote, është koha për jetë. Jam i sigurt se vrasësit do të marrin dënimin më të ashpër”, tha Maduro.
Sulmi me dy dronë me material eksploziv u krye të shtunën gjatë një parade ushtarake. Pavarësisht se Maduro nuk u lëndua, disa oficerë të ushtrisë mbetën të plagosur.
Maduro thotë se presidenti i Asamblesë Kombëtare, Julio Borges, dhe Juan Requenses, një figurë e njohur e opozitës, dyshohet se janë planifikuesit e sulmit.



