Ish-ministri i Jashtëm Paskal Milo deklaroi në edicionin e lajmeve në MCN TV se konflikti Rusi-Ukrainë pritet të zgjasë gjatë, çka sipas tij përforcohet edhe nga fakti që Moska ka ndryshuar taktikë.
Është një mosmarrëveshje që ka të bëjë më strategjinë dhe sigurinë evropiane. Rusia i ka shpalosur objektivat e veta ekspansioniste. Kemi të bëjmë me një çështje të madhe që s’ka të bëjë vetëm me Ukrainën. Përplasja do të vazhdojë sepse me sa duket Kremlini do të bëjë fakt të kryer në terren zgjidhjen e problemeve në favor të tij. E pa që pati humbje, tani ka ndryshuar taktikë, dhe kjo është një nga arsyet pse është një luftë që do të zgjasë. Mpleksen jo vetëm problematikat rajonale, por probleme të mëdha të sigurisë globale”.
Milo tha se është për t’u përshëndetur qëndrimi i Greqisë për të dëbuar 12 diplomatë rusë.
Është një qëndrim për t’u përshëndetur ky që po mban Greqia ndaj Rusisë. Është në përputhje të plotë me statusin si vend i NATO-s dhe BE-së. Ka edhe një faktor emocional, sepse ka minoritet grek në Mariopul dhe Odesë, që kanë pësuar dëme të mëdha. Natyrshëm del në mbështetje të interesave të bashkëkombësve të vet”.
I pyetur mbi një ndërhyrje të mundshme ushtarake të Perëndimit, Milo tha se nëse kjo do të ndodhte, nuk do të diheshin dimensionet që do merrte lufta në kontinent.
Nëse do kishte ndërhyrje ushtarake të NATO-s në Ukrainë, nuk do diheshin dimensionet që do merrte lufta në Evropë. Ka ende shumë hapësira ku mund të shtrihen sanksionet, jo vetëm në ndërprerjen e furnizimeve me naftë edh gaz, por edhe ngrirjen e aseteve ruse në Perëndim”.
Milo analizoi edhe rolin e Turqisë, duke u shprehur se ky vend ka marrëdhënie speciale me Rusinë dhe po shkon në drejtim të kundërt me NATO-n.
Ka pasur marrëdhënie të veçantë, jo vetëm pse janë vende fqinje që i ndan Deti i Zi, por edhe për faktin që marrëdhëniet dhe interesat ngërthehen, edhe në Lindjen e Mesme dhe Siri. Turqia ka pasur marrëdhënie speciale me Rusinë edhe për shkak të tregtisë, dhe armatimeve ruse për Turqinë. Turqia me qëndrimet e saj i kanë dhënë rastin NATO-së dhe SHBA-ve që ta kritikojnë. Qëndrimi i Turqisë për oligarkët rusë mund të jetë në interes pragmatik, por shkon ndesh me interesat e NATO-s dhe Perëndimit”.



