
Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë ka shpallur bojkot dyditor pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja në sallën e Gjykatës së Apelit.
Ky vendim nuk i shtrin efektet e tij për masat e sigurimit në procesin penal.
Ngjarja është cilësuar si një akt i paprecedent dhe më i rëndi që ka ndodhur ndonjëherë në sistemin e drejtësisë shqiptare.
DEKLARATË
Komiteti Drejtues i Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë përcjell me shumë shqetësim ngjarjen lidhur me vrasjen e gjyqtarit të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, z. Astrit Kalaja, si ngjarja më e rëndë dhe e paprecedentë e ndodhur ndonjëherë në sistemin e drejtësisë.
Komiteti Drejtues i Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë vendosi njëzëri që të bojkotojë të gjitha proceset hetimore dhe ato gjyqësore, për çështjet penale, civile dhe administrative, në të gjitha nivelet e gjykimit, për datat 9 dhe 10 tetor 2025.
Ky bojkot është një thirrje për të gjithë opinionin, politikën shqiptare, Këshillin e Lartë Gjyqësor, Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, si dhe palët ndërgjegjësuese, që të angazhohen me përgjegjësinë maksimale për sigurimin e jetës dhe shëndetit, si dhe të veprimtarisë dhe aktivitetit të gjyqtarëve, prokurorëve dhe avokatëve në ushtrimin e detyrave të tyre në realizimin dhe funksionimin e drejtësisë.
Ky vendim nuk i shtrin efektet e tij për masat e sigurimit në procesin penal. Urdhërohen të gjithë kryetarët e dhomave vendore të avokatisë për ekzekutimin e këtij vendimi.



