
Në ditën e 29-të të protestës, banorët e Unazës së Re janë mbledhur sërish për të kundërshtuar projektin për zgjerimin e rrugës, i cili prek banesat dhe bizneset e tyre.
Atyre u është bashkuar edhe kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili e cilësoi projektin e “Unazës së Madhe” si një aferë korruptive, ndërsa akuzoi qeverinë se po sillet si bandë me qytetarët.
“Qeveria po sillet si bandë për t’i përçarë dhe frikësuar banorët sepse halli i vetëm i Edi Ramës nuk është zbatimit i ligjit, por është si ta çojë deri në fund aferën e vjedhjes së miliona eurove këtu tek unaza. Kjo është arsyeja pse ka kapur konto bankare sekrete në parajsa fiskale ku është regjistruar një nga 3 kompanitë që marrin pjesë në këtë megavjedhje”, tha ai.
Kreu i demokratëve akuzoi kryeprokuroren Arta Marku, e cila sipas tij po mbron ata që zhvasin paratë e qyetarëve. Sipas Bashës, kjo tregon se dy vjet e gjysmë pas reformës në drejtësi, kjo e fundit është ende e kapur nga politika.
Protestës së sotme në zonën e Astirit iu bashkuan edhe deputetët e LSI-së, Endrit Braimllari dhe Floida Kërpaçi. Banorët e kësaj zone protestojnë prej një muaji. Ata kërkojnë dëmshpërblim 100% me vlerën e tregut për objektet që preken nga projekti i “Unazës së Madhe’.



