
Erida Skëndaj, kryetare e Komitetit shqiptar të Helsinkit deklaroi përmes një lidhje “Skype” me studion e lajmeve të MCN Tv se studimi i realizuar nga KShH ka zbuluar se nga 42 nisma qytetare përgjatë viteve 2016-2022, Kuvendi ka marrë në konsideratë vetëm një nismë, dhe se vetëm 14 prej tyre janë shqyrtuar në Komisionet Parlamentare.
Duke vijuar më tej shpjegimin e saj, Skëndaj tha se KShH nuk ka mundur të marrë përgjigje për arsyet se pse peticionet e tjera nuk janë shqyrtuar, duke shtuar se Kuvendi nuk ka deleguar asnjë kërkesë.
Nga 42 peticione vetëm 1 ka qenë i suksesshëm, 14 janë shqyrtuar në komisionet parlamentare. Për pjesën tjetër s’ka dokumentacion që siguron që janë trajtuar.
Ne nuk kemi mundur ta marrim këtë përgjigje edhe pse kërkesat për informacion kanë qenë të shumta. Na është thënë se nëse nuk ka procesverbale të komisioneve, tregon që peticionet nuk i janë nënshtruar debatit në komisione. Peticionet kanë rrugëtim ligjor. Nga 42 peticione të dërguara në parlament 6 prej tyre janë shqyrtuar nga komisioni për çështjet sociale, 6 nga komisioni për veprimtarinë prodhuese dhe 2 nga komisioni i ligjeve. Por nuk ka as delegime. Qytetarët potencialisht edhe mund të gabojnë me peticionet. Parlamenti ka 2 kompetenca, një është të ndryshojë legjislacionin dhe dy zbatimi i ligjit. Çdo çështje tjetër Parlamenti nuk mund ta shqyrtojë por duhet ta delegojë.
Një nga peticionet është për ndotjen e natyrës, ka peticione për prishjen e banesave me interes publik, peticione për të drejta për kategori të caktuara. Peticionet janë për të drejtat e natyrës sociale dhe ekonomike.
Ka pasur peticione nga të rinjtë, për personat me aftësi të kufizuar për të pasur aksesueshmëri në institucione. Procedurat parlamentare kërkojnë që peticionet t’i nënshtrohen debateve në komisione.
Kemi bërë një peticion që ka të bëjë me parashikimin në buxhetin e shtetit të fondeve që bëjnë të mundur fertilizimin falas për familjet në nevojë. Edhe për këtë peticion ne nuk kemi përgjigje.
Media po i jep zë dhe jehonë kësaj çështje. Komunikimin me institucionet po e mbajmë. Shpresojmë që të kemi kthesë pozitive dhe qytetarët të dëgjohen dhe minimalisht të marrin një përgjigje, që nëse e ka në kompetenca të ndryshojë diçka kur qëndron kërkesa.



