
Ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, në ditëlindjen e 54-t, mori një surprizë nga të rinjtë e Shkodrës. Me lule të bardha dhe blu si simboli i PD-së dhe një tortë ku shkruhej “Edhe 100 vite të tjera kontribut për atdhe”, të rinjtë i kanë uruar ditëlindjen ish-deputetes demokrate.
E pyetur për politikën, Topalli thotë se e ndjek hap pas hapi çdo zhvillim.
“Vendi ynë është në udhëkryq. Shoh që varfëria është shumëfishuar. Zhvillimet e fundit janë dramatike për vendin tonë, jo se janë të reja dhe jo se nuk i dinim, por shpërthimi i tyre ka bërë që të humbasë shpresa”, thotë ajo.
Topalli tha se e ndjek politikën, ndaj të cilës nuk mund të mbetet indiferente.
“Kam ndal hapin për arsye të zhvillimeve që dihen, por nuk jam fare indiferente ndaj politikës. E ndjek çdo minutë, 24 në 24 orë. Ndoshta di më shumë për shkak të pozicioneve që kam pasur dhe e kuptoj edhe më mirë se çfarë po ndodh. Unë dyshoj shumë se ata janë të gjithë bashkë dhe në Parlament luajnë një teatër gati të neveritshëm. Sigurisht që më mungon foltorja dhe jo ajo fitore që është sot në Parlament. Kjo nuk do të thotë se unë jam tërhequr nga politika”, thotë ajo.



